Lidhje

Harri Holkeri: “Kosova duhet të bëhet pjesë e Evropës” - 2003-08-25


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri, tha sot se, institucionet ndërkombëtare do t'i ndihmojnë institucionet e Kosovës të ndërtojnë një shoqëri tolerante e demokratike. Ai i bëri këto komente, pak pas arritjes së tij në Kosovë, në një mbledhje përkujtimore për diplomatin brazilian Sergio Vieira de Mello dhe punonjësit tjerë të Kombeve të Bashkuara, të cilët u vranë në sulmin në zyrat e Misionit të kësaj organizate në Bagdad.

Zoti Holkeri tha se kujtimi i të vrarëve, është edhe detyrim për të ecur përpara dhe mënyra më e mirë për të nderuar ata që vdiqën në krye të detyrës, është dyfishimi i përpjekjeve për të përmbushur misionin në Kosovë.

“Kjo do të thotë të ndihmohen udhëheqësit politikë të Kosovës, të gjejnë kurajo për të kundërshtuar jo-tolerancën. Që të gjithë, duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës për të vendosur sundimin e ligjit në shoqërinë e Kosovës, të përkrahet e drejta e çdo personi të zhvendosur për t'u kthyer, të ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme me vende pune për të rinjtë dhe të bëhet çdo gjë që Kosova të gjejë vendin e saj në Evropë. Kjo pjesë e Evropës duhet shndërruar në një vend, ku të gjithë qytetarët e saj të jetojnë në paqe dhe me dinjitet”,- tha zoti Holkeri.

Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se Sergio Vieira de Mello, ishte administratori i parë, që qëndroi në Kosovë në periudhën ndërmjet 13 qershorit e një gushtit të vitit 1999. Ai, tha zoti Rugova, ishte burrë i urtë dhe i guximshëm që punoi me sukses për 30 vjet në vatra të ndryshme të konflikteve. Ishte në shërbim të mirëkuptimit e të paqes për kombet dhe vendet e ndryshme, me një fjalë, ishte në shërbim të njerëzimit.

“Populli i Kosovës i kujton me dhembje ata që humbën jetën, i kujton me krenari, sepse ata punuan për Kosovën dhe ajo nuk do t’i harrojë kurrë”, -theksoi Presidenti Rugova.

Presidenti Rugova tha se ka vendosur të dekorojë pas vdekjes zotin Sergio Vieira De Mello me Medaljen për Shërbim Civil në Kosovë.// lk //

XS
SM
MD
LG