Lidhje

Kuvendi i Serbisë miraton njëzëri Deklaratën mbi Kosovën - 2003-08-27


Kryetari i Qeverisë së Serbisë, Zoran Zhivkoviç duke iu drejtuar deputetëve para votimit tha se parlamenti e miraton njëzëri këtë deklaratë, që do të dërgojë mesazhe në të katër anët e botës.

“Opinionit të Serbisë do t’i dërgojmë mesazhin se parlamenti, si pjesë e pushtetit por edhe qeveria janë të gatshme dhe të afta që seriozisht dhe racionalisht t’i qasen si debatit ashtu edhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të rëndësishme që janë me domethënie më të lartë për shtetin dhe kombin, dhe ka shtuar se një nga këto prioritete është Kosova, sikurse që janë edhe integrimet euroatlantike”, tha ai.

Zhivkoviç vuri në dukje se mesazhi për bashkësinë ndërkombëtare është se pushteti demokratik në Serbi i respekton të gjitha rregullat dhe dokumentet e nënshkruara, se nuk po bën thirrje për luftë dhe mund të jetë partner për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka shtuar se pushteti demokratik në Serbi gjithashtu as që ka të drejtë as ndërmend që të heq dorë nga legjitimiteti i luftës për interesat e Serbisë dhe të popullit serb në territorin e Kosovës.

Sipas tij mesazhi për shqiptarët dhe udhëheqjen e tyre është se tani është momenti historik për të treguar se politikisht janë të pjekur dhe përgjegjës dhe se mund të bëhen bashkëbisedues dhe partnerë të mirë edhe të Beogradit edhe të Bashkësisë ndërkombëtare.

Zhivkoviç tha se mesazhi kryesor ka të bejë me serbët e Kosovës sepse për ata zgjidhja e problemit të Kosovës është me rëndësi maksimale. Sipas tij pa kthimin dhe ekzistimin e serbëve në Kosovë nuk do të ketë zgjidhje të mirë për këtë problem.

Prandaj edhe i ka ftuar që përkundër të gjitha të këqiave që u janë bërë, të gjejnë atomin e fundit të forcës dhe motiv të mjaftueshem që të mbeten atje, dhe të kenë besim tek institucionet e Serbisë. Sipas tij qeveria serbe me nisma diplomatike do të orvatet të realizojë ëndrrën e të gjithëve për një Kosovë të qetë.

Në tekstin e Deklaratës prej 20 pikash thuhet se sovraniteti shtetëror dhe mosndarja territoriale e Republikës së Serbisë ka të bëjë edhe me Kosovën, pavarësisht nga administrata kalimtare ndërkombëtare atje.

Gjithashtu nënvizohet se rreth statusit final të Kosovës nuk mund të zhvillohet debati derisa nuk realizohen të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kërkohet që sa më parë të zbatohet decentralizimi i Kosovës në harmoni me rekomandimet e Këshillit të Evropës, të sigurohet respektimi i plotë i marrëveshjes ushtarako-teknike dhe i dokumentit Hakerup-Çoviç.

Kur të përmbushet në tërësi Rezoluta 1244 si dhe standardet që i ka shtruar UNMIK-u Kosovës, atëherë institucionet kompetente të Serbisë do ta autorizojnë Qendrën Bashkërenduese për Kosovën që me anë të Grupit të Kontaktit të kontribuojë në hartimin e platformës së “autonomisë esenciale” të Kosovës në kuadrin e Republikës së Serbisë si anëtare e Bashkësisë shtetërore Serbia – Mali i Zi, thuhet mes të tjerash në Deklaratën mbi Kosovën.//kk//

XS
SM
MD
LG