Lidhje

Presidenti Bush kërkon bashkëpunim ndërkombëtar për Irakun - 2003-09-10


Presidenti Bush u bëri thirrje vendeve të tjera të lenë mënjanë mosmarrëveshjet e së kaluarës për Irakun, duke theksuar se është në interesin e të gjithëve të ndihmojnë me trupa dhe fonde për rindërtimin e këtij vendi.

Duke folur me gazetarët të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se ai është i hapur për propozime mbi përmbajtjen e rezolutës së re të OKB-së për Irakun. Presidenti tha se ai nuk beson se Franca, Gjermania dhe Rusia, që ishin kundër ndërhyrjes ushtarake në Irak, do ta kundërshtojnë rezolutën.

Por në Kombet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kanë qarkulluar një projekt-rezolutë tjetër, duke kërkuar një rol më të madh për OKB-në në Irak se sa kërkohet në rezolutën e paraqitur nga Washingtoni.

Ndërkohë një shpërthim vetëvrasës në qytetin verior irakian të Arbilit shkaktoi vdekjen e të paktën dy personave dhe plagosjen e më shumë se 40 të tjerëve, përfshirë 6 amerikanë.

Makina bombë shpërtheu mbrëmë pranë një shtëpie që përdorej nga trupat amerikane, ku sipas njoftimeve kishte edhe agjentë të organeve të zbulimit. Dëshmitarët thonë se panë një makinë që ndaloi para shtëpisë dhe shpërtheu ndërsa shoferi ishte ende brenda.

Njoftohet se personi që humbi jetën, ishte vetë autori i sulmit vetëvrasës. Viktima tjetër që humbi jetën ishte një fëmijë 4 vjeçar që vdiq nga plagët e marra.

Zëdhënës ushtarakë amerikanë thonë se 6 amerikanët e plagosur janë anëtarë të personalit të Departamentit të Mbrojtjes, por shtuan se nuk ishin të sigurt nëse ata ishin trupa apo anëtarë të personelit civil. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë deri tani.

Ndërkohë, zyrtarë të Pentagonit thonë se një ushtar amerikan u vra të mërkurën në Bagdad, ndërsa përpiqej të çaktivizonte një bombë. //kk//

XS
SM
MD
LG