Lidhje

Klintoni mbështet të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje - 2003-09-19


Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, tha sot në Prishtinë se e njeh dhe e çmon të drejtën për vetvendosje, por bëri thirrje për ripajtim ndërmjet të gjitha komuniteteve. Ai e bëri këtë komente gjatë një ceremonie në Universitetin e Prishtinës ku u nderua me titullin “Honoris Causa”, në shenjë mirënjohje për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë.

Mijëra qytetarë dolën sot për të pritur ish presidentin Klinton në vizitën e tij të dytë në Kosovë pas luftës, e cila mori fund me ndërhyrje e forcave të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Mijëra veta që mbanin lule e flamuj amerikanë e shqiptarë, ndoqën nga sheshi i universitetit fjalimin e tij.

Zoti Klinton tha se mdihej i nderuar që iu dha mundësia të ndihmonte Kosovën për t’i dhënë fund dhunës, për të kthyer një milion veta në shtëpi dhe për të mos lejuar që numri i viktimave të arrinte përmasat që u shënuan në Bosnjë. Ai tha si ish prsidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq, tash i akuzuar për krime lufte, propagandoi urrejtjen në Kosovë dhe Bosnjë duke e ditur se me ngjalljen e frikësimit në radhët e serbeve mund të shtonte edhe mbështetjen për synimet e tij.

Por, bota tha ai, kishte mësuar nga përvoja e tmerrshme në Bosnjë dhe nuk dëshironte përsëritjen e saj. Qytetarët e Kosovës, ndërkaq, ndihmuan me durimin e tyre për liri dhe drejtësi. Ish presidenti Klinton u tha qyteyarëve të Kosovës se “duhet të punojnë për ripajtimin, jo vetëm që të jenë të drejtë ndaj pakicës serbe, por edhe për të mirën e tyre”. Prandaj, theksoi ai, duhet të punohet për pajtim, respektimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik dhe vetvendosjen. Kosova duhet të bëhet shembull pozitiv për pjesën tjetër të botës, e cila e di sesa vuajtje ka përjetuar ky popull.

Zoti Klinton tha se “gjatë vizitës së kaluar në Kosovë kishte nënvizuar se nuk mud të harrohen padrejtësitë dhe veprimet çnjerzore. Askush nga jashtë nuk mund të detyrojë qytetarët e Kosovës të falin, por ata duhet të përpiqen ta bëjnë një gjë të tillë, jo për të tjerët, por për veten që të jenë të lirë.

Të gjithë duhet të ngrihen kundër çdo forme të dhunës sepse Kosova e re nuk mund të ndërohet me anë të dhunës, por duhet vendosur shteti ligjor, nga i cili varen edhe investimet ekonomike në Kosovë”. Prandaj, tha ai, qytetarët e Kosovë duhet të bëjnë atë që iu takon, ndërsa pjesën tjetër do ta bëjnë miqtë amerikanë. Në këtë kuadër, ai tha se trupat amerikane duhet të qëndrojnë në Kosovë derisa të përfundojnë misionin e tyre. Zoti Klinton tha se e di cili është qëllimi politik i shqiptarëve.

Ish presidenti amerikan tha se “beson në vetvendosjen dhe dëshiron që qytetarët e Kosovës të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre”. Por, ai theksoi se çështja është sesi të realziohet ajo. Në këtë kuadër, ai shprehu përkrahjen e tij për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve teknike. Ai tha se këto bisedime nuk mund të zgjidhin problemet brenda natës, por janë një zhvillim i rëndëishëm psikologjik, meqë do të krijonte një atmosferë që nuk ka ekzistuar deri tash. Kjo, tha ai, është pjesë e ardhmërisë së Kosovës, e cila ka shënuar përparime të mëdha që nga viti 1999, por ende ka shumë sfida përpara saj.

Të gjitha këto çështje janë diskutuar edhe në takimet e tij më dyer të mbyllura me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, dhe presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Zoti Rugova, cili e priti ish presidentin Klinton në aeroportin e Prishtinës, tha se shpreson që miku i madh i shqiptarëve do të vazhdojë të angazhohet edhe më tej për Kosovën dhe njohjen e pavarësisë së saj.

Pas një vizite ne Universitetin Amerikan në Prishtinë, ish presidentiKlinton udhëtoi për në kampin e trupave amerikane në Bondsteel afër Ferizajt, ndalesa e fundit e vizitës së tij në Kosovë.

XS
SM
MD
LG