Lidhje

Rezolutë e re amerikane në OKB mbi Irakun - 2003-10-14


Diplomatët thonë se Shtetet e Bashkuara po u paraqesin me radhë në mënyrë jo zyrtare një rezolutë rreth Irakut vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lajmet bëjnë të ditur se për herë të parë rezoluta i jep afat Këshillit Qeverisës Irakian deri më 15 dhjetor që të caktojë kohën për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për hartimin e kushtetutës së re. Versioni i ri është i treti, i cili synon të zgjerojë rolin e Kombeve të Bashkuara në Irak.

Rusia, Franca dhe Gjermania, të cilat kundërshtuan luftën në Irak, kanë kundërshtuar 2 projekt-rezolutat e mëparshme, duke thënë se ato nuk ia kalojnë pushtetin në kohën e duhur irakianëve. Por ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher tha dje se propjekt-rezoluta e re përbën një hap në drejtimin e duhur.

Gjatë fundit të javës, diplomatët amerikanë ua dhanë projekt-rezolutën 14 vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Rezoluta e re është një përpjekje nga ana e Shteteve të Bashkuara që të arrijnë një kompromis në Këshillin e Sigurimit lidhur me çështjen se kur dhe si do të rifitojnë irakianët sovranitetin e tyre.

Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell ka thënë se irakianëve do t’u duhet 6 muaj kohë që të hartojnë kushtetutën, hapi i parë drejt një qeverie të zgjedhur në Bagdad. Anëtarë të Këshillit Qeverisës Irakian, të caktuar nga Shtetet e Bashkuara, kanë thënë se ky proces mund të zgjasë deri në 2 vjet.

Disa vende, të udhëhequra nga Franca dhe të nxitura nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Aana, kanë thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta dorëzojnë kontrollin e Irakut më shpejt. Nuk është e qartë në se ky kompromis do të kënaqë kritikët e planeve amerikane në Irak.

Lajmet nga Evropa lenë të kuptohet se kompromisi u arrit me ndihmën e Britanisë e të Spanjës, vende këto aleate të Shteteve të bashkuara në Irak dhe në Këshillin e Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për mbështetjen e plotë të Këshillit të Sigurimit që të sigurojë më shumë ndihma ndërkombëtare në mënyrë që të ndajnë barën e kostos për stabilizimin dhe rindërtimin e Irakut.

Analistët mendojnë se kjo është shtytja e fundit nga Shtetet e Bashkuara për rezolutën, rreth së cilës administrata e presidentit Bush shqyrtoi mundësinë që ta braktiste javën e kaluar. Washingtoni shpreson që rezoluta të miratohet para se vendet donatore të mblidhen më 23 tetor në Madrid, ku Shtetet e Bashkuara shpresojnë të sigurojnë më shumë ndihma.

Një zyrtar amerikan tha se rezoluta e re do t’i paraqitet zyrtarisht Këshillit të Sigurimit këtë javë.

//ze//

XS
SM
MD
LG