Lidhje

Vjenë: përfundon raundi i parë i bisedimeve - 2003-10-14


Udhëheqësit shqiptarë dhe serbë u takuan sot në Vjenë për raundin e parë të bisedimeve të drejtpërdrejta që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara u përqendruan në çështje teknike si transporti, energjia dhe kthimi i refugjatëve.

Synimi i takimit nuk ishte të trajtonte çështjen nëse Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë apo të bëhet e pavarur pasi OKB-ja t’i japë fund misionit të saj atje.

Megjithatë, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se favorizon pavarësinë e një Kosove të integruar në Bashkimin Evropian.

Ai bëri thirrje edhe për pajtim e mirëkuptim të ndërsjellë dhe tha se shpreson të fillojë zhvillimin e marrëdhënieve pozitive me Serbinë në shumë fusha.

Mirëpo, përfaqësuesi i Serbisë në biseime, zëvendës-kryeministri Nebojsha Çoviq, e bëri të qartë se qeveria e tij e shikon Kosovën si pjesë të Serbisë.

Sipas agjencisë së lajmeve Beta, zoti Çoviq tha se nuk kishte mbetur i kënaqur nga bisedimet. Ai tha se takimi ishte hap pozitiv, por nuk përbën fillimin e dialogu, pasi delegacioni shqiptar nuk ishte shumëetnik.

Në bisedimet e Vjenës ishin të pranishëm me statusin e vëzhguesit edhe diplomatë nga vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Natos.

Holkeri, Rugova - bisedimet janë të rëndësishme

Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri dhe presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova vlerësuan sonte në aeroportin e Prishtinës, menjëherë pas kthimit nga Vjena, se kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën.

Kryeadministratori Harri Holkeri, theksoi rëndësinë e fillimit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit për cështje teknike me interes për qytetarët dhe theksoi se do të vazhdojë të punojë me të gjitha institucionet e Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova, theksoi se kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën.

Bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, përfshijnë, problemin e personave të zhdukur, kthimin e të zhvendosurve, energjinë dhe telekomunikacionin.

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili refuzoi të merrte pjesë në takimin e Vjenës, tha sot në Prishtinë se çështja e personave të zhdukur në Kosovë, nuk mund të cilësohet si cështje teknike, por në radhë të parë si cështje humanitare.

Kryeministri, i cili i bëri këto komente në një takim me drejtues të Komitetit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, tha se çështja e personave të zhdukur në Kosovë është emocionale për të gjithë.

Zoti Rexhepi u citua nga zyra e tij, të ketë kërkuar që Serbia të ofrojë informacionet e duhura për personat e zhdukur, dhe që komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion mbi Beogradin në lidhje me këtë cështje.

Në takimin e sotëm me zëvendësshefen e stafit të Komitetit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Kathryne Bomberger, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka theksuar gjithashtu se administrata ndërkombëtare duhet të kalojë më shumë kompetenca tek institucionet vendore në lidhje me çështjen e personave të zhdukur.

Zyrtari amerikan Larry Rossin kritikon ”disa udhëheqës të shqiptarëve”

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Larry Rossin, shprehu zhgënjim ndaj qendrimit të disa politikanëve shqiptarë të Kosovës lidhur me bisedimet e Vjenës. Ndihmës zëvendës sekretari i shtetit, Rossin, i cili përfaqësonte Shtetet e Bashkuara në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, i tha Zërit të Amerikës se qendrimi i disa perfaqesuesve politikë të shqiptarëve në Kosovë ishte jo konstruktiv.

Zoti Rossin ishte mjaft i drejtpërdrejtë në komentet e tij lidhur me qendrimin e disa përfaqësuesve politikë të shqiptarëve për bisedimet e Vjenës.

”E kam fjalën sidomos për udhëheqës të ndryshëm politikë të Kosovës, të cilët na zhgënjyen së tepërmi me qendrimet jo konstruktive, me pozat e tyre politike si dhe me qendrimet plot paragjykime dhe jo dinjitoze,” tha ndihmës zëvendës sekretari amerikan i shtetit.

Ambasadori Rossin tha se me këto qendrime ata nuk i bënë një shërbim popullit të Kosovës. Ata, tha ai, dëgjuan njerëz që nuk u dhanë atyre këshilla të mira.

Shqiptarët e Kosovës u përfaqësuan në bisedime nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe kryetari i parlamentit Nexhat Daci ndërsa kryeministri Bajram Rexhepi nuk pranoi të merrte pjesë.

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Ambasadori Rossin tha se ishte relativisht i inkurajuar nga fillimi i bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Natyrisht, tha ai, secila palë shprehu qendrimet e veta dhe perceptimet e saj politike në deklaratat e hapjes, por këto janë bisedime teknike dhe ajo që në të vërtetë ishte e nevojshme këtu ishte që t’u jepej një shtytje politike ekpertëve të cilët do të diskutojnë më pas për çështjet teknike.

Ai tha se ky ishte qëllimi i takimit dhe, sipas mendimit të tij, ky qëllim u arrit.

Zoti Rossin përsëriti se këto nuk janë bisedime për statusin përfundimtar të Kosovës, por bisedime teknike për çështje teknike. Me statusin përfundimtar, tha ai, do të merret një proces i veçantë kur të vijë koha dhe kjo kohë ende nuk ka ardhur.

XS
SM
MD
LG