Lidhje

Partia Socialiste në prag të krizës - 2003-10-20


Në Shqipëria partia socialiste është në prag të krizës. Kundërvënia e hapur e një grupi deputetësh të drejtuar nga zoti Ilir Meta, ndaj kandidaturave të reja për kabinetin qeveritar, mund të vërë seriozisht në pikëpyetje pushtetin e së majtës. Kundërshtarët e kryeministrit Nano, kanë vënë kusht rikompozimin e qeverisë, duke refuzuar të votojnë në parlament ministrat e jashtëm dhe të rendit.

Kur në muajin korrik zoti Meta dhe përkrahësit e tij arritën të bllokonin emërimin e ministrit të jashtëm, ky veprim u tentua të mbulohej si një reagim ndaj kandidaturës së propozuar. Në të vërtetë për të gjithë ishte e qartë se ajo që ndodhi ishte një prove force mes dy rivalëve në partinë socialiste.

Zoti Meta dëshmoi se ai dhe njerëzit e tij ishin një faktor që nuk mund të kapërcëheshin lehtë. Për këtë ai u ndihmua dhe nga trajtimi deri mospërfillës që partia socialiste i bëri aleatëve të saj për zgjedhjet e pushtetit vendor. Në një plan thjesht numerik, votat e partive të vogla janë bërë vendimtare në luftën e brendshme të socialistëve. Dhe sot është zoti Meta që po përfiton prej tyre. Jo më kot ndër kërkesat që parashtrohen prej tij është një rikompozim i qeverisë me një rishikim të aleancave. Nga ana tjetër ata e kanë bërë tashmë të qartë se problemi nuk është te emrat e kandiduar por te mënyra se si po vepron kryeministri.

Në disfavor të kreut të qeverisë dhe njëkohësisht kryetarit të partisë socialiste është edhe momenti në të cilin ai u detyrua të paraqiste ministrat e rinj. Në planet e zotit Nano, posti i ministrit të jashtëm do të vazhdonte të mbahej bosh, ndoshta edhe deri në kongresin e partisë. Por incidenti i ndodhur me ministrin e rendit i përshpejtoi lëvizjet, duke mos i lënë kohë kryeministrit të parapërgatitej për përballjen në parlament. Ai gjendet në të njëjtën situatë si në korrik. Orët e këtyre ditëve janë të ngarkuara me përpjekje për të siguruar sa më shumë mbështetje mes deputetëve dhe për të pakësuar numrin e përkrahësve të zotit Meta.

Arritja e një marrëveshjeje mes dy kampeve kundërshtare është thuajse e pamundur. Ajo është e parealizueshme edhe nga një pikëpamje praktike, përsa kohë emrat e dy kandidatëve i janë dërguar tashmë presidentit të Republikës për dekretim.

Parlamenti mbetet pra skena ku do të zhvillohet edhe një herë dueli i forcës. Në rast të një rrëzimi të dytë të kandidaturave, qeveria e kryeministrit Nano do të futej realisht në krizën më të thellë.

Ndonëse ligjërisht ai mund të bëjë edhe një përpjekje të tretë, moralisht socialistët do të dëshmonin se nuk zotërojnë më shumicën dhe se vendi është shumë afër zgjedhjeve të parakohshme.

//rd//

XS
SM
MD
LG