Lidhje

Berisha: Presidenti ka detyrimin kushtetues t'i kërkojë dorëheqjen kryeministrit Nano - 2003-10-24


Në Shqipëri, ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta iu kundërpërgjigj sot akuzave të kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, për lidhje me krimin. Ai tha se zoti Nano po i shfrytëzon të dyja postet, atë në qeveri dhe atë në parti për të favorizuar njerëz të botës së krimit. Por cili është reagimi i opozitës për krizën e qeverisjes socialiste? Zëri i Amerikës, në emisionin televiziv Ditari i mori këtë intervistë kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Dr. Berisha ndodhet në Montekarlo ku po merr pjesë në një konference kundër korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, Partia Socialiste është zhytur në një krizë të thellë dhe të pashembullt. Si i shikoni percarjet ne rradhet e Partise Socialiste dhe si mund ta shfrytezojë opozita konfliktin Nano-Meta për synimet e saj politike?

Sali Berisha: Në fakt Partia Socialiste, udhëheqja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit mori një damkosje, jam i sigurtë, përfundimtare për korrupsionin dhe krimin e organizuar që rëndon dhe peshon mbi të. Në këtë kontekst kjo krizë ka të bëjë më tepër me reagimin e shoqërisë shqiptare sesa me grindjet e brendëshme midis tyre të cilat janë një luftë për pushtet dhe një përpjekje që bën njëra palë për të shpëtuar anijen e mbytur tashmë, të pashpresë për të dalë më në breg. Kështuqë duhet të theksoj se kemi të bëjmë me kohërat e fundit, me muajtë dhe javët e fundit të një qeverie që po tërhiqet zvarrë në shkallën e plotë të papërgjegjshmërisë së kryeministrit që vërtet po e trajton qeverinë dhe qeverisjen e vendit tipikisht si një padrino. Unë kam besim se opozita do të japë përgjigjen e merituar me të gjithë mjetet demokratike këtij qëndrimi të papërgjegjshëm antikushtetues të kryeministrit Nano.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju keni lënë të kuptohet se mund të paraqisni një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së zotit Nano. Mirëpo, Partia juaj dhe aleatët e saj nuk kanë votat e nevojshme në parlament për të rrëzuar qeverinë. Fraksioni i zotit Meta mund të vihej në qendër të goditjeve të ashpra politike nga pjesa tjetër e socialistëve në se do të votonte me ju kundër qeverisë. Pra në se ju vendosni të shkoni me alternativën e mocionit, dhe në se nuk keni sukses, a nuk do ti jepnit ju qeverisë së kryeminsitrit Nano pikërisht atë legjitimitet që tani asaj i mungon?

Sali Berisha: Së pari qeveria Nano ka humbur dy herë rradhas legjitimitetin e saj tërësisht mbasi nuk mblodhi dot jo gjysmën e parlamentit siç duhet ta ketë, por as gjysmën e të pranishmëve në parlament. Po rikujtoj se dje kanë ndodhur gjërat më bizare, më të çuditshme me disa deputetë që nuk u paraqitën dhe përsëri Nano dështoi. Unë mendoj se mocioni i mosbesimit është konsumuar tërësisht dhe kryeministri është i rrëzuar. Në rast se ai do të provojë të kundërtën, le të paraqitet ai për një mocion besimi, ose të japë dorëheqjen. Ky është rregulli në çdo vend ku respektohen rregullat më elementare. Mirëpo kryeministri thashë po sillet si padrino. Po dëshmon një primitivizëm ekstrem politik. Po u thotë shqiptarëve se unë do të mbajë qeverinë e zëvendësministrave. Tani do të jenë shqiptarët që do ti thonë atij se Ti nuk mund të mbash qeverinë e zëvendësministrave siç don Ti, por do ti imponojë respektimin e kushtetutës dhe të ligjit.

Zëri i Amerikës:Zoti Berisha, një sqarim ju lutem. Në se ju kuptova, ju nuk keni në plan që të paraqisni një mocion mosbesimi?

Sali Berisha: Mocioni i mosbesimit është konsumuar në dy raste, zoti Biberaj, mbasi ai humbi në parlament dhe nuk ekzistojnë mocione për ministra. Ai tani ka vetëm një alternativë, ose të paraqitet në parlament për mocionin e besimit vetë ose të japë dorëheqjen. Përndryshe do të përdoren të gjitha mjetet, të gjitha mjetet demokratike për ta krryer nga pushteti një primitiv që nuk e merr mundimin të respektojë as detyrimet më elementare kushtetuese në këto raste.

Zëri i Amerikës:Zoti Berisha ju i keni kërkuar presidentit Moisiu që të ushtrojë të gjitha kompetencat kushtetuese për ti dhënë vendit një qeverisje tjetër. Çfarë prisni ju prej presidentit dhe a ka ai në të vërtetë hapesirë manovrimi për këtë krizë të brendshme qeverisjeje?

Sali Berisha: Presidenti ka hapësirë të plotë manovrimi. Ai nuk mund të pajtohet me gjysëm qeveri. Kushtetura përcakton qartë se ç’është qeveria dhe këshilli i ministrave, nuk përbëhet ai nga zëvëndësat por nga ministrat. Presidenti ka detyrimin kushtetues ti kërkojë kryeministrit dorëheqjen ose verifikimin urgjent të besimit të tij në parlament mbasi në sytë e shqiptarëve dhe të mbarë komunitetit ndërkombëtar dy propozimet e bëra rrjesht nga kryeministri, të dekretuara në përputhje me kushtetutën nga presidenti, u rrëzuan në parlament. Tani faktikisht vendi nuk ka qeveri shumice. Ka një individ që me primitivizmin e tij nuk din të largohet dhe nuk do të largohet. I takon presidentit të ushtrojë të gjitha kompetencat kushtetuese për ti dhënë vendit një qeveri e cila do të mund të përgatisë zgjedhjet e ardhshme dhe kthesën e vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, le tu rikthehemi në fund zgjedhjeve vendore, dhe pikërisht procesit të ndërlikuar në Tiranë, ku të dyja palët pretendojnë fitore për kandidatët e tyre. Sot u njoftua se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të marrë në dorë kutitë e parregullta të zgjedhjeve dhe do të analizojë mbi 100 mijë vota. A ka rrugedalje nga kjo situatë?

Sali Berisha: Rrugëdalja nga kjo situatë është ndëshkimi i atyre që përjashtuan nga votimi për qellime politike 10 përqind të zgjedhësve në Tiranë, ndëshkim i atyre të cilët vodhën dhe hoqën proces-verbalet dhe tabelat e rezultateve, nga kutitë e votimit për tja dhënë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve proces-verbalet dhe tabelat e rezultateve të fabrikuara në Partinë Socialiste. Pra, ne si fitues real, de fakto të zgjedhjeve po luftojmë për një problem fondamental kushtetues të vendit dhe unë mund tu them ju se mirëkuptimi brenda shqiptarëve dhe komuniteti ndërkombëtar është i plotë dhe total për çështje që ne kemi ngritur. Siç e konstatuat edhe ju, misioni i ODHIRit ndryshoi qëndrimin ndaj listave. Tani është faza e tretë përfundimtare ku ne provojmë implikimin politik në formulimin e tyre dhe natyrisht përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë, Durrës dhe Shkodër, për proporcionalin, është rruga e vetme për zgjidhjen e kësaj krize.

//rd//

XS
SM
MD
LG