Lidhje

BE: krimi i organizuar, pengesë për anëtarësimin e vendeve të ballkanit - 2003-11-03


Vendet e Evropës Lindore dhe juglindore janë angazhuar se do të luftojnë krimin dhe emigracionin e paligjshëm si dhe do të përmirësojnë sigurimin e kufijve, me synimin për të arritur standardet evropiane. Por Bashkimi Evropian pohon se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbetet një pengesë, sidomos në Ballkan. Në Uashington, një komision i senatit për punët e jashtëme shqyrtoi këto ditë përpjekjet e shumanëshme që po bëhen në këtë drejtim, duke deklaruar se ky problem prek jetën e përditëshme jo vetëm në Evropë por edhe në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i Komisionit, senatori George Voinovich, tha se ndërkohë që Shtetet e Bashkuara inkurajojnë reformat demokratike në disa pjesë të Evropës, përfshirë Ballkanin, ndërkohë që demokracitë e reja të Evropës synojnë të përfshihen në institucionet ndëratlantike, si Nato-ja, ka rëndësi jetike që qeveria amerikane të bashkërendojë veprimet e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Evropë.

Në dëshminë e tij, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Steven Pifer, tha se është në interes të Shteteve të Bashkuara që Rusia, Ukraina apo shtetet ballkanike të bëhen ekonomi tregu të qëndrueshme, sepse kjo do të ndikonte pozitivisht për një Evropë më të stabilizuar dhe më të sigurt. "Krimi i organizuar dhe korrupsioni i minojnë këto zhvillime... Për më tepër, meqenëse krimi i organizuar lidhet gjithnjë e më shumë me veprimtari kriminale ndërkombëtare, ai vjen deri në brigjet e Shteteve të Bashkuara", tha zoti Pifer.

Megjithë përpjekjet e kushtueshme për të frenuar rritjen e opiumit në Afganistan, prodhimi i tij është rritur. Opiumi transportohet nga Turqia, përmes Ballkanit për të arritur në tregjet e Evropës Perëndimore dhe Veriore. Një pjesë e tij përfunson në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara. Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë se janë me mijra vajzat që çdo vit joshen, blihen dhe bëhen skllave për trafikun e seksit me zanafillë nga Ballkani. Edhe në Shtetet e Bashkuara janë zbuluar vajza të ardhura nga vendet ballkanike - viktima të tregtisë së seksit.

Grant Ashley, nëndrejtor i sektorit të FBI-së për hetimet penale, foli në hollësi për këtë problem: Krimi i organizuar në Ballkan, sidomos në Shqipëri, është një problem i ri. FBI-ja ka një program relativisht të ri por mjaft të fuqishëm në zemër të saj, i cili quhet Nisma për Krimin e Organizuar në Ballkan. Qëllimi i tij është goditja e veprimtarisë kriminale që vjen nga vende të tilla si Sllovenia, Kroacia, Serbia-Mali i Zi, Bosnje-Hercegovia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Greqia, thotë zoti Ashley.

Sipas zotit Bruce Swatrz, zëvendës ndihmës Prokuror i Përgjithshëm, destabilizimi që vjen nga krimi i organizuar mund të sjellë pasoja jo vetëm në tregti dhe në biznes por mund të krijojë edhe kushte që favorizojnë terrorizmin.

Motivi prapa krimit të organizuar është fitimi. Ai është pjesërisht pasojë e varfërisë së madhe që ka ardhur nga lufta civile dhe e dobësisë së qeverive. Për të pakësuar praninë e operacioneve kriminale në shkallë të gjerë kërkohen njëkohësisht përmirësime të ndjeshme në aspektin ekonomik. Mirëpo, siç theksuan zyrtarët e Departamentit të Shtetit, të drejtësisë dhe të FBI-së, nëse këto vende nuk përpiqen për vendosjen e shtetit ligjor dhe të kushteve bazë të sigurisë, atëhere ato nuk do të marrin dot investime që do të përmirësonin ekonomitë e tyre.

//rd//

XS
SM
MD
LG