Lidhje

Në SHBA debati politik zhvillohet edhe në libra - 2003-11-24


Titujt e librave politikë më të shitur nuk lënë asnjë dyshim për pikëpamjet e autorëve. Nga ana e konservatorëve është libri i ri i Ann Coulter “Tradhëti: Pabesia e liberalëve nga Lufta e Ftohtë deri tek Lufta kundër terrorizmit”. Po ashtu edhe libri i Sean Hannity “Le të jehojë liria: Të fitosh luftën e lirisë ndaj liberalizmit”.

Nga të majtët kundërpërgjigjen Molly Ivins dhe Lou Dubose me “Jeta në Amerikën e George Bushit”, si edhe Al Franken me librin “Gënjeshtrat dhe gënjeshtarët që gënjejnë: Një vështrim i objektiv dhe i paanshëm mbi të djathtën”.

Këta janë vetëm disa nga autorët që kanë botuar libra të tillë kohët e fundit dhe duket se lexuesit janë të kënaqur me ta. Robert Newman drejton firmën e marrëdhënieve publike “Newman Communications”, e cila ka ndihmuar në reklamimin e librave të të gjithë spektrit politik. Ai beson se popullariteti i këtyre librave pasqyron një prirje në rritje.

“Publikut i pëlqen një ndeshje boksi dhe do ta shohë atë pa pushim, kështuqë ne vazhdojmë t’u ofrojmë një ndeshje boksi. Pas një viti do të kemi një garë kuajsh”- thotë Newman.

Disa nga librat më të shitur janë shkruar nga autorë që kanë përvojë të madhe dhe lexues të gatshëm nga puna në lloje të tjera mjetesh informimi. Konservatorja, Ann Coulter që del shpesh në televizion si analiste, ka fituar famë si provokatore. Në librin e saj “Treason” ajo sulmon Partinë Demokratike si një strehë për tradhëtarët që nga koha e Luftës së Ftohtë.

“Partia Demokratike strehoi tradhëtarët, mbrojti tradhëtarët, i inkurajoi ata, tregoi verbëri politike ndaj komunizmit në marshimin e Stalinit në gjithë Evropën Lindore. Është një histori e turpshme”, - thotë Coulter.

Edhe në kampin e liberalëve ka autorë të mësuar me mediat, siç janë Al Franken dhe Michael Moore. Ky i fundit në librin e tij: “Ku është vendi im?”, shkruan se pavarësisht nga sulmet e 11 shtatorit 2001, kërcënimi terrorist në Shtetet e Bashkuara, është ekzagjeruar në masë të madhe.

“Ishte një ngjarje tragjike, por terrorizëm ka patur gjithmonë dhe gjithmonë do të ketë në të ardhmen. Ne nuk mund të çbëjmë kushtetutën, nuk mund të ndryshojmë mënyrën tonë të jetesës për shkak të këtyre incidenteve të tmerrshme. Dhe unë mendoj se administrata e Presidentit Bush e ka përdorur 11 shtatorin në shërbim të programit të tyre të djathtë”,- shkruan Moore.

Secila nga palët e debatit politik është e bindur se pala tjetër ka mbizotëruar, por se tani po ndërrohen rolet. Brian Anderson i Institutit Manhattan botoi së fundi një artikull, ku thoshte se mediat, përfshirë industrinë e botimit të librave, janë bërë më të hapura ndaj zërave konservatorë.

Po edhe liberalët tonë se kanë arritur disa fitore kohët e fundit. Megjithëse republikanët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, librat kundër Presidentit Bush kanë qenë në krye të listës së librave më të shitur në Amerikë, në javët e fundit.

Robert Newman i firmës Newman Communications paraqet një tjetër këndvështrim për betejat ideologjike të librave. Ai beson se autorët liberalë tërheqin vëmendjen tani, pikërisht ashtu siç bënin konservatorët në kohën e administratës së Presidentit Clinton.// lk //

XS
SM
MD
LG