Lidhje

Libia pranon të lejojë inspektime të paparalajmëruara të objekteve të saj nga ekspertë ndërkombëtarë armësh - 2003-12-22


Pas vendimit të Tripolit për të hequr dorë nga programet e armëve të shkatërrimit në masë, diplomatë perëndimorë thonë se Libia ka rënë dakord të lejojë inspektime pa njoftim të objekteve të saj nga ekspertë ndërkombëtarë armësh.

Burime thonë se diplomatët, të cilët folën në Vjenë me kusht që të mos identifikohen, parashikojnë që Libia të nënshkruajë një propokoll shtesë të Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore, të nënshkruar nga Tripoli. Protokolli do të lejonte inspektime intensive pa njoftim nga zyrtarë të agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore. Libia ende nuk e ka konfirmuar këtë njoftim.

Tripoli njoftoi të premtën se do të heqë dorë nga programet e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike. Të shtunën, shefi i programit libian të kërkimeve shkencore u takua në Vjenë me kreun e Agjencisë së Energjisë Atomike, Muhamed ElBaradei, për të planifikuar inspektimet.

Ndërkohë, sekretari britanik i mbrojtjes, Xhefri Hun, tha të djelën se vendimi i Libisë ishte të paktën pjesërisht rrjedhim i ndërhyrjes ushtarake amerikane e britanike në Irak. Ai i tha rrjetit televiziv ”Sky News”, se që të jetë e sukseshme, diplomacia duhet mbështetur nga kërcënimi i përdorimit të forcës.

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë thonë se vendimi i Libisë për të hequr dorë nga programi i armëve u mor pas disa muaj përpjekjesh diplomatike në të cilat ishte përfshirë edhe vetë udhëheqësi libian, Moamar Gadafi. //az//

XS
SM
MD
LG