Lidhje

Irak: 2 ushtarë amerikanë u vranë sot, njëri në Bagdat tjetri në Fallujah - 2003-12-28


Dy ushtarë amerikanë u vranë sot në Irak, njëri nga një shpërthim në Bagdat, ndërsa tjetri nga një shpërthim në Fallujah. Tre ushtarë të tjerë u plagosën nga një bombë në Fallujah, në perëndim të kryeqytetit irakian, ku ushtarët amerikanë janë përleshur në shumë raste me kryengritës irakianë.

Bomba në Irak shpërtheu sot në Karrada, një zonë e ngarkuar me blerës, duke lënë të vdekur edhe 2 fëmijë irakianë. Ndërkaq, numri i të vdekurve nga sulmet e sotme në qytetin Kerbala ka arritur në 18.

Pesë irakianë të tjerë vdiqën nga plagët e marra në sulme të kryera nga kryengritës kundër zyrave qeveritare dhe dy bazave ushtarake të koalicionit.

Zëdhënës të ushtrisë thonë se elementë kryengritës sulmuan një autokolonë ushtarake amerikane me një bombë artizanale në një rrugë shumë të populluar në lagjen Karrada të Bagdatit. Ata thonë se dy fëmijë irakianë ishin pranë bombës, në momentin kur shpërtheu.

Bomba shpërtheu sot paradite, në një rrugë me shumë dyqane, që mbushet me blerës gjatë gjithë ditës.

Dje katër makina bombë shpërthyen në qytetin Kerbala, rreth 100 kilometra në jug të kryeqytetit. Numri i të vdekurve nga sulmi vazhdon të rritet. Ndër të vrarët ka edhe 6 ushtarë, dy nga Tailanda dhe katër nga Bullgaria. Njoftohet se të paktën 160 vetë janë plagosur, shumë prej të cilëve civilë.

Zyrtarë të ushtrisë po e cilësojnë sulmin në Kerbala si operacionin më të bashkërenduar kundër trupave të koalicionit në Irak në javët e fundit, dhe besojnë se u krye nga luftëtarë të huaj, jo nga irakianë.

//ze//

XS
SM
MD
LG