Lidhje

Një muze në vendin ku u vra Martin Luther Kingu, nderon veprën e tij - 2004-01-17


Momentet kulminante të jetës së Martin Luther Kingut u shënuan në disa qytete amerikane: Montgomery i Alabamës ku ai drejtoi protestat e para, Atlanta e Georgias ku krijoi imazhin si njeri i kishës, Washington, DC ku dha fjalimin e famshëm “Unë kam një endërr...” dhe më në fund Memphis në Tennessee ku ai u vra më 4 prill, 1968.

Kjo e fundit mund të duket si një pikë kthese që njerëzit e Memphisit do të donin ta harronin. Por në fakt ata kanë ngritur Muzeun Kombëtar të të Drejtave Civile, aty ku u vra Doktor Kingu.

Trashëgimia e Martin Luther Kingut në Memphis filloi të merrte formë që para vdekjes së tij. Ai e vizitoi qytetin në prill të vitit 1968 për t’u takuar me punonjësit e kanalizimeve që ishin në një grevë dhe dha një nga fjalimet e tij më të famshme. Duke folur para turmës që brohoriste, ai iu referua zërave që jeta e tij ishte në rrezik. “Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë tani. Na presin disa ditë të vështira, por kjo nuk ka rëndësi më për mua, sepse unë shkova deri në majë të malit, kështuqë nuk më bën përshtypje”, tha ai.

Një ditë më pas, Martin Luther Kingu u qëllua ndërsa ishte në ballkonin e motelit Lorraine, që në atë kohë ishte një nga motelet e pakta pronë e një zezaku në Amerikën Jugore. James Earl Ray më pas pranoi se kishte kryer vrasjen.

Pasi moteli falimentoi, ndërtesa u ble nga një grup qytetarësh të Memphisit. Gwen Harmon, drejtoresha për marrëdhëniet publike për Muzeun e të Drejtave Civile, thotë se ata donin të ruanin një objekt historik dhe njëkohësisht dtë krijonin një gjë të re.

“Drejtori i institucionit Smithsonian që erdhi dhe na bëri propozimin për rindërtim, sugjeroi që të mos ndryshohej asnjë tullë nga jashtë. Dhe ne ashtu bëmë . Kështuqë nga jashtë duket si moteli Lorraine dhe brenda gjithë hapësira është përshtatur për muzeum”.

Në muze pasqyrohet beteja e afrikano-amerikanëve për liri dhe barazi nga vitet 1600 deri në ditët e sotme. Por, ekspozitat përqendrohen kryesisht tek ngjarjet e viteve 1950 dhe 1960, kur Lëvizja e të Drejtave Civile arriti kulmin.

Vizitorët e Muzeut mund të hipin edhe në një autobus ku në një inskenim shoferi u thotë që të ulen në ndenjëset e prapme, ashtu siç u thuhej afrikano-amerikanëve në vitet 1950, kur nuk lejoheshin të uleshin në ndenjëset e para në mjetet e transportit publik.

Martin Luther Kingu u bë i njohur fillimisht pikërisht gjatë një bojkotimi të autobusëve në Montgomery të Alabamës.

Vizitorët kalojnë edhe më ambjente të tjera ku paraqiten arritjet e viteve të fundit të Doktor Kingut. Më në fund ata arrijnë te dhoma 306 e motelit Lorraine. “Kjo dhomë u rikrijua ashtu siç ishte para 35 vjetësh. Gjithçka është njëlloj, kafja, mbulesat e krevatit, gazeta mbi krevat, tavlla e duhanit me hirin dhe bishtrat e cigareve. Dhe po të dalësh në ballkon, mund të shohësh kurorën e vënë atje. Ja aty po rrinte, kur u godit. Për shumë vite këtu mbaronte muzeu dhe ishte shumë emocionale. Por njerëzit vazhdonin të pyesnin se ç’ndodhi më pas. Për këtë arsye ne i bëmë muzeut një shtesë për të treguar se si rodhën ngjarjet më pas”,thotë ajo.

Një pjesë e Muzeut është vendosur tashmë në shtëpinë në anën tjetër të rrugës, ku po rrinte James Earl Ray në kohën kur kreu vrasjen. Objektet atje dëshmojnë për kontradiktat lidhur me dënimin e Rayt për krimin dhe ndikimin e lëvizjes së të drejtave që njeriut që drejtoi Martin Luther Kingu, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.//kk//

XS
SM
MD
LG