Lidhje

Donald Rumsfeld mohoi se administrata ka manipuluar të dhënat e shërbimeve të zbulimit - 2004-02-05


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld mohoi se administrata e presidentit Bush ka manipuluar të dhënat e shërbimeve të zbulimit për të forcuar argumentat për fillimin e luftës në Irak.

Ai tha dje para një komisioni të Senatit se nuk ka parë, as nuk ka dëgjuar prova se zyrtarë të administratës kanë shtrembëruar rezultatet e zbulimit për të justifikuar luftën.

Zoti Rumsfeld foli për herë të parë publikisht që pasi ish krye inspektori amerikan David Kay tha se informacionet e zbulimit amerikan mbi armët irakiane me sa duket ishin të gabuara. Kritikët kanë akuzuar administratën se ka paraqitur argumenta të njëanshme të shërbimeve të zbulimit për të krijuar përshtypjen që Iraku përbënte kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, kryeministri britanik, Tony Blair, mbrojti vendimin e tij për të dërguar trupa në Irak, pas thirrjeve të protestusve, që e cilësonin kryeministrit “vrasës.”

Zoti Blair tha në parlament se lufta ishte vendimi i duhur megjithëse inspektorët e armëve nuk kanë gjetur stoqe të armëve irakiane të shkatërrimit në masë. Ai theksoi se që prej përmbysjes së ish udhëheqësit irakian Sadam Husein, inspektorët e armëve kanë gjetur laboratore, dokumenta dhe shkencëtarë, të cilëve u ishte thënë që të mbulonin programet e armëve biologjike, kimike dhe bërthamore të Irakut.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara cituan armët irakiane të shkatërrimit në masë si arsyen kryesore për fillimin e luftës.

//ze//

XS
SM
MD
LG