Lidhje

Senatori John Kerry siguroi praktikisht emërimin e Partisë Demokrate - 2004-03-03


Senatori John Kerry, i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për zgjedhjet presidenciale, ka filluar përpjekjet për të zgjedhur kandidatin për nën-president, ndërkohë që presidenti Bush ka filluar të transmetojë reklamat e para në fushatën për një mandat të dytë.

Të mërkurën, senatori Kerry i kërkoi Jim Johnsonit, një biznesmen i njohur në Washington, të drejtojë përpjekjet për zgjedhjen e kandidatit demokrat për nën-president.

Senatori nga Karolina e Veriut John Edwards, ish-rival për emërimin e Partisë Demokrate, shihet si një ndër të preferuarit për të konkuruar përkrah zotit Kerry. Ndër të tjerë renditet guvernatori i shtetit New Meksiko, Bill Richardson.

Zoti Edwards u tërhoq zyrtarisht nga gara një ditë pasi nuk arriti të shënojë asnjë fitore në një numër zgjedhjesh paraprake. Tërheqja e tij nga gara dhe fitoret e zotit Kerry i kanë siguruar senatorit nga Masaçusetsi emërimin e Partisë Demokrate.

Të martën në mbrëmje, presidenti Bush i telefonoi zotit Kerry për ta uruar për fitoret e tij në konferencat partiake dhe tha se mirëpret një konkurim të gjallë në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Të mërkurën filluan të transmetohen reklamat e para të presidentit Bush për këtë fushatë zgjedhore. Në mesazhe nga 30 dhe 60 sekonda, presidenti dhe e shoqja, Laura Bush, e prezantojnë zotin Bush si një udhëheqës i fortë me një ide të qartë për drejtimin e Shteteve të Bashkuara. //ad//

XS
SM
MD
LG