Lidhje

Afganistani dhe Drogat - 2004-03-07


Pas dy dekadash që Afganistani përjetoi pushtimin sovjetik, luftën civile dhe regjimin Taleban, qeveria e këtij vendi po përpiqet tani të zgjidhë një sërë problemesh serioze. Presidenti i Afganistanit Hamid Kharzai thotë se “prodhimi i bimëve narkotike, i heroinës dhe i drogave të tjera, është problemi kryesor i Afganistanit”.

Me ndihmën e qeverisë gjermane dhe britanike, Afganistani po krijon një forcë policore anti-drogë. Britanikët, që drejtojnë përpjekjet për të bashkërenduar ndihmën për luftën kundër drogave në Afganistan, po punojnë me qeverinë e këtij vendi për të shkatërruar bimët narkotike. Por ligjet ekonomike të ofertës dhe kërkesës, luajnë një rol të madh në Afganistan duke mbajtur të lartë prodhimin e këtyre bimëve.

Në një raport të publikuar kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë, se gjatë vitit të kaluar, bujqit afganë kultivuan mbi 60 mijë hektarë bimë narkotike. Nga 32 provinca që ka Afganistani, në 28 mbillen bimë narkotike. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, 40 deri në 60 përqind e Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm në Afganistan, sigurohet nga bimët narkotike. Ekspertët e luftës kundër drogave thonë se të ardhurat e bujkut afgan nga shitja e bimëve narkotike, janë sa një e njëqinda e fitimit të drogës që nxiret prej këtyre bimëve, kur ajo shitet në Evropë ose në Amerikë.

Robert Çarles, shefi i zyrës së luftës kundër drogave në Departamentin e Shtetit, thotë se ka rëndësi që të ndihmohen bujqit afganë të kultivojnë bimë të tjera.

“Ne duhet të parandalojmë institucionalizimin e tregut të heroinës. Në se pas dy vjetësh, gjendja do të jetë e njejtë me atë që kemi tani, atëhere mund të thuhet se jemi drejt institucionalizmit të këtyre karteleve në Afganistan. Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë. Duhen shkatërruar gjithë magazinat, gjithë stoqet dhe gjithë laboratorët e drogave” , thotë zoti Çarles.

Për të fituar luftën kundër drogave, Afganistani do të ketë nevojë për ndihma të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkaura dhe vende të tjera. Ndihma duhet të synojë përmirësimin e organeve të rendit, shkatërrimin e bimëve narkotike dhe sigurimin e alternativave të tjera për bujqit. Afganistani po ashtu do të ketë nevojë për qëndrueshmëri politike.

XS
SM
MD
LG