Lidhje

Kryeministri Koshtunica përballet me sfida të shumta - 2004-03-11


Zhvillimet politike të kohëve të fundit në Serbi janë bërë objekt i vëmendjes së ekspertëve të çështjeve ballkanike dhe të institucioneve ndërkombëtare. Në një takim që u zhvillua të mërkurën në Qendrën Woodrow Wilson, analisti i çështjeve ballkanike, Leonard Cohen, tha se qeveria e re e Serbisë do të ketë sukses vetëm nëse largon nga strukturat e saj elementë të inkriminuar, kryen reforma në sistemin gjyqësor, dhe bashkëpunon me Gjykatën e Hagës.

Qeveria e re e kryeministrit Vojisllav Koshtunica gjendet përpara sfidave të shumta, të brendshme dhe të jashtme. Një nga sfidat kryesore, thotë profesori i shkencave politike Lenard Cohen i Institutit të Kërkimeve për Evropën Juglindore në Universitetin Simon Fraser, është spastrimi dhe depolitizimi i ushtrisë, policisë dhe strukturave të tjera shtetërore nga elementë të së kaluarës.

“Është e qartë se konsolidmi i demokracisë dhe zhvillimi politik nuk mund të arrihen nëse kryeministri Koshtunica dhe qeveria e tij nuk depolitizojnë forcat e rendit dhe nuk godasin krimin e organizuar.”

Profesor Cohen, autor i disa librave mbi Jugosllavinë, tërheq vëmendjen se bashkëpunimi me Hagën, i nisur nga ish kryeministri i vrarë Zoran Djindjiç, duhet të jetë një nga përparësitë për Beogradin, pasi nga kjo varen edhe ndihmat ekonomike nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

“Padyshim që Serbia duhet të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës për dorëzimin e shtetasve të saj që kërkohen nga kjo gjykatë, si gjenerali Mlladiç i cili shpesh strehohet në Serbi. ”

Në deklaratat e tij të deritanishme, Kryeministri Koshtunica ka këmbëngulur se Serbia nuk do t’i dorëzojë më Hagës serbë të akuzuar për krime lufte gjatë konflikteve ballkanike.

Profesori Cohen thotë se një sfidë tjetër e rëndësishme për Serbinë është krijimi i shtetit ligjor. Ai shpreh dyshim nëse Kryeministri Koshtunica, i cili u detyrua të formojë një koalicion të pakicës, do të ketë sukses në zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor.

Fati i qeverisë së tij varet në mbeshtetjen që do të ketë nga Partia Socialiste, e ish-Presidentit Sllobodan Millosheviç, dhe nga Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit. Këto dy forca politike kundërshtojnë me forcë reformat juridike.

Analisti Cohen e cilëson Kryeministrin Koshtunica si një nacionalist liberal. Ndërsa kryeministri i ri nuk mund të shikohet si një nacionalist ekstremist i llojit të Millosheviçit ose Sheshelit, nacionalizmi i zotit Koshtunica, sipas zotit Cohen, është i përzier me tradicionalizmin, antiamerikanizmin, kundërshtimin e Gjykatës për Krimet e Luftës, si dhe në kantonizimin ose ndarjen e Kosovës.

Profesori Cohen thotë se bashkësia ndërkombëtare e ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit Koshtunica për kantonizimin e Kosovës. Por ai shton se serbët në Kosovë duhet të kenë një farë autonomie që ti mbrojë ata.//kk//

XS
SM
MD
LG