Lidhje

Zgjerimi i NATO-s: Çfarë qëndrimi do të mbajë tani Rusia? - 2004-04-02


NATO-ja organizoi të premten në selinë e saj në Bruksel një ceremoni për t’u uruar shtatë vendeve të reja anëtare mirëseardhjen. Pas ceremonisë, ministrat e jashtëm nga 26 vendet anëtare nisën bisedimet mbi çështje të ndryshme, duke filluar nga përpjekjet për të përmbushur angazhimet paqeruajtëse të NATO-s në Afganistan, riparimi i përçarjeve diplomatike të shkaktuara nga lufta në Irak dhe reagimi i Rusisë ndaj zgjerimit.

Ministri i jashtëm rus shkoi në Bruksel për të marrë pjesë në bisedimet e ministrore të së premtes, zhvillim të cilin zyrtarë të aleancës thonë se e marrin si shenjë që Rusia ka pranuar zgjerimin e NATO-s.

Anëtarët e rinj të NATO-s, Estonia, Letonia, Lituania, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria, nuk i ofrojnë aleancës ndonjë fuqi të konsiderueshme ushtarake. Por, ata zotërojnë ose po zhvillojnë atë që zyrtarët e NATO-s e cilësojnë si aftësi kyçe dhe ekspertizë specifike.

Profesori Jerome Sheridan, ekspert i çështjeve të sigurimit i cili drejton Qendrën e Universitetit Amerikan në Bruksel, thotë se, pavarësisht nga aftësitë e tyre të kufizuara ushtarake, anëtarët e rinj po u përshtaten sfidave të reja me të cilat ndeshet Natoja në luftën kundër terrorizmit dhe armëve të shkatërrimit në masë.

“Mendoj se ata do të vazhdojnë të zhvillojnë ekspertizë në aspekte të vogla të luftës kundër terrorizmit. Në këtë mënyrë ata mund të jenë në gjendje të ofrojnë ekipe të mbrojtjes nga armët kimike, apo për zbulimin e rrezikut biologjik. Nuk do të jetë një funksion i madh, por ata do të luajnë një rol”.

Zyrtarët e NATO-s thonë se do të duhen 10-12 vjet që anëtarët e rinj t’ia përshtasin aftësitë e tyre ushtarake standardeve të NATO-s. Pesë vjet më parë aleanca hapi dyert për tre anëtaret e saj të para ish-komuniste, Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë. Zyrtarët vënë në dukje se këto vende ende janë në procesin e modernizimit të forcave të tyre.

Por NATO-ja e shikon zgjerimin si zhvillim kryesisht politik, pasi i përhap vlerat perëndimore, si demokracia dhe shteti ligjor, më në lindje, më pranë kufirit me Rusinë.

Siç pritej, Rusia ka reaguar me zemërim ndaj përfshirjes së 3 vendeve baltike në NATO, pasi shqetësohet se patrullat ajrore të aleancës mbi këto vende mund të përdoren për spiunazh në territorin rus. Profesori Sheridan mendon se marrëdhëniet e Rusisë me NATO-n do të varen nga veprimet e ardhshme të aleancës: “Nëse NATO-ja ndërmerr veprime provokuese, si për shembull vendos trupa në shtetet balltike në afërsi të kufirit rus, atëherë do të shohim shfaqjen e kundërshtimit rus. Nëse NATO-ja nuk shfaqet me zhurmë në vendet e reja anëtare, Rusia do ta kuptojë se nuk ndeshet me kërcënim ndaj saj”.

Të gjitha vendet e reja anëtare të NATO-s, me përjashtim të Rumanisë dhe Bullgarisë do të pranohen edhe në Bashkimin Evropian muajin e ardhshëm. Eksperti Daniel Keohane thotë se, megjithë që këto vende kanë prirje pro-amerikane, qëndrimi i tyre mund të ndryshojë, kur ata të bëhen gjithnjë e më të varur nga përfitimet ekonomike që sjell antarësimi në Bashkimin Evropian: “Këto vende që kanë qenë shumë pro-amerikane do të bëhen më pro-evropiane, pasi nuk do të duan të zemërojnë Parisin dhe Berlinin, nga të cilët do të varen, pas antarësimit në Bashkimin Evropian”.

Por ekspertët thonë se të paktën vendet baltike do të vazhdojnë të jenë pro-Washingtonit, për sa kohë që e shohin Rusinë si kërcënim. Zoti Keohane thotë se mbetet për t’u parë nëse, me anëtarësimet e reja, aleanca do të vazhdojë të funksionojë me efektivitet tani që përballet me kërcënime të reja: “Aleanca po bëhet politikisht më e pa manovrueshme. Mund të thuash se lufta e në Kosovë në vitin 1999 ishte e paa dhe e fundit e aleancës pasi është e qartë se Pentagoni nuk dëshironte të konsultohej me 18 aleatët e atëhershëm për drejtimin e luftës. Prandaj zor se Pentagoni do të dojë të drejtojë një luftë tjetër përmes NATO-s”.

Zoti Keohane thotë se e vetmja mënyrë që Natoja mund të funksionojë me efektivitet është nëse shumica e vendeve evropiane përmirësojnë ndjeshëm aftësitë e tyre ushtarake. Ai thotë se forcat amerikane janë aq më të avancuara teknikisht se aleatët e tyre, saqë pjesa më e madhe e forcave të armatosura evropiane e ka të vështirë të veprojë përkrah forcave amerikane.//kk//

XS
SM
MD
LG