Lidhje

Maqedoni: Kryeministri Crvenkovski kryeson në zgjedhjet presidenciale - 2004-04-15


Rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni tregojnë se kryeministri aktual Branko Crvenkovski kryeson, por ka marrë më pak se 50 për qind të votave, minimalja e kërkuar për të siguruar presidencën.

Thuajse të gjitha votat janë numëruar dhe partitë politike në Maqedoni njoftojnë se zoti Crvenkovski ka marrë afro 48 për qind të votave, ndërsa konkurenti i tij Sashko Kedev i partisë VMRO renditet në vend të dytë me afro 40 për qind të votave.

Nëse këto rezultate konfirmohen zyrtarisht, dy kandidatët do të konkurojnë në një raund të dytë pas dy javësh për të përcaktuar se cili prej tyre do të zërë vendin e presidentit Boris Trajkovski, i cili vdiq 2 muaj më parë në një aksident ajror në Bosnjë-Hercegovinë.

Dy kandidatët shqiptarë nuk morën një numër të mjaftueshëm votash për të sfiduar zotin Crvenkovski. Rezultatet jozyrtare tregojnë se zoti Gëzim Ostreni ka marrë rreth 14 për qind të votave, ndërsa zoti Zydi Xhelili ka marrë vetëm 8 për qind të votave.

Anketat e zhvilluara para zgjedhjeve tregojnë se zoti Crvenkovski kryeson ndaj kandidatëve të tjerë, pasi zhvilloi një fushatë të përqëndruar në ritmet e larta të papunësisë në vend dhe përpjekjet për të përparuar drejt antarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Zoti Kedev, me profesion kirurg, e prezantoi veten gjatë fushatës si një personazh i ri në politikën maqedonase.

//ze//

XS
SM
MD
LG