Lidhje

Partitë që nuk publikojnë financimet do të paditen në gjykatë - 2004-04-27


Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (CAO) bëri të ditur se ka vendosur të paditë në gjykatë ato parti politike që nuk kanë bërë transparente burimet e financimit. Organizata joqeveritare filloi procesin e ankimit për 5 parti politike që nuk iu përgjigjën kërkesës për të publikuar financat e tyre dhe më pas do t’i drejtohet gjykatës për këtë shkelje të ligjit mbi të drejtën e informimit.

Në qendër të kritikave është vendosur Partia Socialiste, më e madhja mes atyre që nuk pranojnë publikimin e financave partiake. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve i ka nisur një ankim kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, ku theksohet se lufta ndaj korrupsionit është e nevojshme të përfshijë edhe këtë segment të jetës së vendit, ndaj dhe partia që ai drejton e ka për detyrim kushtetues transparencën financiare.

Disa parti të koalicionit qeveritar si dhe PD e opozitës sapo kanë paraqitur raportet mbi burimet e tyre financiare. 6 parti politike i pranuan të publikojnë plotësisht ose pjesërisht të ardhurat e tyre, ndërkohë që 5 të tjera ende refuzojnë transparencën ndaj publikut. Shoqata bëri të ditur se ajo do t’i shndërrojë materialet e mbledhura në tema kryesore të debatit publik mbi jetën e kritikuar politike të vendit. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve u kërkoi 2 muaj më parë gjithë partive politike që të paraqesin burimet financiare dhe shpenzimet që kryejnë bashkangjitur me një listë të dhuruesve kryesorë të fondeve që nga themelimi i tyre.

Forcat politike në Shqipëri nuk kanë publikuar dhe nuk kanë lejuar asnjëherë transparencën mbi të ardhurat, shpenzimet, donacionet, sponsorizimet, dhuratat me të cilat ato organizojnë fushatat zgjedhore. ZMQ është e para në gjithë vitet e tranzicionit që po kërkon të hidhet dritë mbi një nga fushat më të panjohura të jetës politike në vend, duke parë me shqetësim diferencën e madhe midis buxhetit të pakët shtetëror që u ndahet partive për fushatat dhe veprimtaritë tepër luksoze e të shtrenjta që ato kryejnë. Kjo situatë ka ngjallur shpesh dyshime mbi lidhjet e krimit të organizuar me politikën.

//ze//

XS
SM
MD
LG