Lidhje

Nato: nuk dihet nëse do të dërgojë trupa në Irak - 2004-05-17


Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Scheffer tha se Iraku vazhdon të jetë në rendin e ditës të aleancës, por ai theksoi se nuk mund të bëjë asnjë parashikim, në se aleanca do të dërgojë paqeruajtës në atë vend.

Zoti Scheffer u tha gazetarëve në Bruksel se ai nuk mund të parashikojë se si do të jetë gjendja në qershor, kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, t’i kalojë një pjesë të kompetencave një qeverie të përkohshme irakiane.

Ministri francez i mbrojtjes Mishel Alliot Marie në një takim që pati me homologët e tjerë evropianë në Bruksel theksoi të njejtën gjë. Ai u tha gazetarëve se gjendja e paqëndrueshme në Irak, e bën të pamundur angazhimin e Natos të paktën për tani. Aleanca e Natos aktualisht luan vetëm një rol të kufizuar logjistik në Irak.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Natos të dërgojë trupa, por dy vende kryesore në aleancë, Franca dhe Gjermania, thonë se nuk do të mbështesin angazhimin e Natos pa një mandat nga Kombet e Bashkuara.

Në fund të qershorit, udhëheqësit e vendeve të Natos do të takohen në Stamboll. Takimi i nivelit të lartë do të përfundojë vetëm një ditë para kalimit të planifikuar të sovranitetit në Irak nga forcat e koalicionit tek vetë irakianët.

XS
SM
MD
LG