Lidhje

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë takohet me Sekretarin e Shtetit Kolin Pauell - 2004-07-12


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Kastriot Islami u takua të hënën me Sekretarin Amerikan të Shtetit Kolin Pauell në Uashington. Pas takimit, zoti Islami i dha një intervistë Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Islami ju sapo keni dalë nga takimi me Sekretarin e Shtetit Kolin Pauell. Çfarë u diskutua në takim?

Kastriot Islami: Ky është një nga takimet më të rëndësishme që ka zhvilluar diplomacia shqiptare. Fokusi natyrisht ishte tek marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona. Dihet tashmë që Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë kryesor strategjik dhe në këtë kontekst kemi biseduar jo vetëm për vazhdimin dhe thellimin e këtyre shkëmbimeve në fushën politike dhe diplomatike, por kemi prekur edhe dimensionin ekonomik të këtyre marrëdhënieve, që ne, nëpërmjet kompanive si Lockheed Martin, vizitës së fundit që ka bërë në Tiranë Presidenti i Bankës Amerikane për Eksport-Importe, po kështu edhe një sërë firmash të tjera private, apo kongresmenësh, synojmë të tërheqim biznesin amerikan në Shqipëri. Në shtator do të zhvillohet në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një mbledhje e rëndësishme ku do të paraqiten të gjithë avantazhet dhe kushtet që tërheqin investitorët dhe biznesin amerikan. Kemi biseduar për objektivat që ka Shqipëria, duke falenderuar në mënyrë të veçantë qeverinë dhe shtetin amerikan për mbështetjen që i ka dhënë gjatë procesit të anëtarësimit në NATO, ku do të veçoja këtu Kartën e Adriatikut, ku tre vendet tona, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë një progres dhe pritet që në samitin e ardhshëm të marrim ftesën për t’u anëtarësuar. Po kështu kemi folur për të gjithë angazhimin që ka qeveria shqiptare në kuadrin e procesit të integrimit evropian dhe pa harruar atë angazhim, që tashmë dihet dhe është i shprehur qartë në luftën kundër terrorizmit, duke vazhduar të mbetemi një aleat i vendosur kundër këtij fenomeni negativ me dimension ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Në se në Shqipëri mund të flitet për suksese, besoj edhe ju jeni dakort me këtë konstatim, suksesi më i madh është arritur në politikën e jashtme. Ndërkohë Shqipëria kalon shumë probleme të tjera, është paqëndrueshmëria politike, është problemi i korrupsionit, është problemi i krimit të orgaizuar në vend. Sa ndikojnë këto fenomene negative për përparimin e mëtejshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë?

Kastriot Islami: Shqipëria tashmë siç e thashë, është futur në një proces të qartë, më saktë, në një sërë procesesh integruese, siç është ai i Bashkimit Evropian dhe i Natos, por natyrisht Shqipëria luan një rol mjaft të rëndësishëm edhe në bashkëpunimin rajonal. Në këtë kontekst, ajo ka një sërë matricash, një sërë objektivash, një sërë detyrimesh për të cilat unë bëra një panoramë të qartë duke i dorëzuar edhe një raport progresi Sekretarit të Departamentit të Shtetit Amerikan, në mënyrë të veçantë që lidhet edhe me diskutimin që do të bëhet shumë shpejt për t’u bërë anëtare e Fondit të Sfidës së Mijëvjeçarit. Pra Shqipëria krahas një sërë progresesh, ka përballë edhe një sërë sfidash. Unë ia përmenda ato, që janë njëkohësisht edhe objektiva, jo vetëm të qeverisë shqiptare, por të gjithë shtetit shqiptar, ku do të përfshija edhe opozitën shqiptare, dhe do të thoja që sfidat kryesore vazhdojnë të mbeten ato që lidhen me zgjedhjet e ardhshme, me luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, kundër korrupsionit dhe çdo progres në këtë drejtim do të përmirësonte jo vetëm realitetin shqiptar, por në mënyrë të veçantë, çka është shumë e rëndësishme, edhe imazhin e Shqipërisë, gjë që do të lejonte për t’u bërë një shtet që tërheq jo vetëm politikisht dhe diplomatikisht, por edhe ekonomikisht, mjaft investitorë dhe biznesmenë nga këto vende të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Marrëdhëniet Amerikë-Shqipëri, janë cilësuar nga të dy palët, qoftë nga uashingtoni, qoftë nga Tirana si shumë të mira. Ju sapo thatë që Amerika është partner strategjik i Shqipërisë. Në një kohë kur përparësitë e politikës së jashtme të Shqipërisë janë anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, a vihet re ndonjë lloj zhelozie në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e Evropës?

Kastriot Islami: Kam përshtypjen që shumica e prioriteteve që ka Shqipëria janë prioritete për të cilat nuk evidentohet xhelozia ose balanca të prishura midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkësisë Evropiane. Përsa i përket Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në NATO, ka një koherencë të plotë dhe kjo u ndje edhe në samitin e fundit të Stambollit, ku jo vetëm Shtetet e Bashkuara që luajtën një rol në Kartën e Partneritetit të Adriatikut, por edhe vendet të tjera mbështetën pikërisht progresin e Shqipërisë dhe i inkurajon këto tre vende për të marrë ftesën në radhën e ardhshme. Njëkohësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin jo vetëm progresin, por edhe të gjithë sfidat që duhet të përballojë Shqipëria në kuadër të Bashkimit Evropian, sepse indikatorët, apo objektivat e kushtet që janë në matricën e këtij integrimi, janë të lidhura me demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare, me vendosjen e kushteve të një ekonomie të lirë tregu, apo me përmirësimin e gjyqësorit apo luftën kundër korrupsionit. Pra ka një koherencë dhe një përputhje të plotë midis objektivave që ka Shqipëria përsa i përket Bashkësisë Evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po kështu edhe përsa i përket çështjeve rajonale, ku Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm, ne nuk shikojmë ndonjë diferencë që të ishte shqetësuese në kuptimin e xhelozive që mund të lindin pikërisht nga bashkëpunimi edhe partneriteti që ka Shqipëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me Bashkësinë Evropiane, apo shtete të veçanta të Bashkësisë Evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Islami, sa lart qëndron Kosova në politikën e jashtme të Shqipërisë. A duhet Shqipëria të jetë më aktive?

Kastriot Islami: Shqipëria kam përshtypjen, në qoftë se ka një nga elementët që është vlerësuar maksimalisht, pozitivisht nga komuniteti ndërkombëtar, është për politikën e saj mjaft të mençur, mjaft të moderuar, mjaft stabilizuese në rajon dhe në mënyrë të veçantë përsa i përket Kosovës. Këto lloj vlerësimesh vijnë jo nga shtete të veçanta, por vinë edhe nga Shtetet e Bashkuara, vijnë nga Bashkësia Evropiane. Kemi parasysh edhe ngjarjet e fundit, ku qeveria shqiptare dhe i gjithë shteti shqiptar, duke filluar nga Presidenti, Kryeminsitri dhe elementët e tjerë të shtetit, ishin në konktakt të vazhdueshëm me të gjithë faktorin shqiptar në Kosovë dhe arritën pikërisht atë lloj moderimi dhe atë lloj qetësimi të situatës, i cili i duhej dhe u përshëndet edhe nga vetë kosovarët. Duhet të kemi parasysh që Shqipëria synon zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por duke krijuar një mbështetje sa më të gjerë dhe sa më të madhe nga komuniteti ndërkombëtar. Vetë kjo politikë e vlerësuar është mbështetja më e madhe që jep politika e qeverisë shqiptare, e shtetit shqiptar, në funksion të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Kjo ka qënë dhe një nga temat e bisedës sot me Sekretarin Pauell, ku kemi bashkëndarë të njejtat mendimet dhe opinione. Të njejtat vlerësime vijnë edhe nga ky takim i sotëm për politikën shqiptare.

Zëri i Amerikës: Pas disa orësh ju prisni të nënshkruani marrëveshjen për Mbrojtjen e Pronave Kulturore. Çfare parashikon kjo marreveshje?

Kastriot Islami: Siç e thashë edhe një herë me partnerin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne kemi jo vetëm marrëdhënie politiko-diplomatike, jo vetëm në aspektin ekonomik, por ne po mundohemi të zgjerojmë edhe numrin e marrëveshjeve që janë baza dhe infrastruktura e këtij lloj bashkëpunimi. Në këtë kuadër kemi edhe këtë marrëveshje që do të nënshkruhet sot. Bëhet fjalë për ruajtjen e pasurive kulturore të të dy vendeve tona. Ky është një kontribut që mbetet jo vetëm në nivelin kombëtar, por ai përkthehet, ose projektohet edhe në nivel ndërkombëtar. Kjo tregon dhe njëherë tjetër atë politikë tradicionale të shqiptarëve për të vazhduar dhe kooperuar, siç do të vihet në dukje dhe në fjalimin që do të jetë pasdite, me ruajtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, po kështu edhe me ruajtjen e ushtarëve italianë, që lanë ushtrinë e tyre dhe u strehuan nga shqiptarët. Po kështu edhe një sërë pasurish të tjera të karakterit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe mendoj se është një arritje përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe.

XS
SM
MD
LG