Lidhje

Wolf:  Të rinjtë shqiptarë duhet të venë kandidaturën për poste politike - 2004-07-21


Në seancën e të martës në Komisionin amerikan të Helsinkit, të ftuarit nga Shqipëria, të cilët folën për korrupsionin dhe probleme të tjera sociale që kalon sot Shqipëria, tërhoqën vemendjen e një anëtari me influencë të Kongesit. Ai është Frank Wolf, kongresmeni republikan nga shteti i Virginias, i njohur për preokupimin e tij për çështjet humanitare, nga gjendja në Darfur e deri te trafiku njerëzor në Shqipëri.

Zoti Frank Wolf, u tha të ftuarve nga Shqipëria se ata i kujtonin Vaclav Havelin dhe Les Valesën megjithëse, tha ai, problemi i sotëm nuk është komunizmi por korrupsioni. Zoti Wolf, një republikan konservator, i cili ka qenë disa herë në Shqipëri dhe interesohet edhe për çështjet e Kosovës, tha se seanca e dëshmive ishte ndër më të mirat ku ai ka marrë pjesë ndonjëherë. Dhe ja se si i shpjegon ai arësyet:

"Juve ju është dashur të tregoheni shumë të guximshëm për të bërë atë që bëtë. Shqiptarët janë njerëz të mirë. Kam njohur shumë shqiptarë. Kam qenë në Kukës kur bëheshin bombardimet dhe shqiptarët hapën dyert dhe strehuan të shpërngulurit".

Zoti Wolf tha se shpresonte që mediat në Shqipëri do ta pasqyronin këtë seancë që njerëzit të shikojnë guximin e atyre që dëshmuan. Është e lehtë vazhdoi ai, që thuash diçka dhe të mos jesh nga rajoni për të cilin po flet. Por juve do të ktheheni në vendin tuaj.

"Ne do t’i dërgojmë një njoftim ambasadës amerikane për të garantuar se askush nga ju që dëshmuat sot këtu nuk do të kërcënohet në një mënyrë apo në një tjetër. Havelët dhe Les Valesat e Shqipërisë nuk do të kenë asnjë pasojë qoftë fizike apo të çdo lloji tjetër".

Kongresmeni i inkurajoi të rinjtë nga Shqipëria që të venë kandidaturën për poste politike. Ju, tha ai, mund të ndryshoni gjendjen e korrupsionit në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG