Lidhje

Vlorë: më shumë pushues këtë verë - 2004-08-28


Kthimi i disa mijëra emigrantëve nga Greqia dhe Italia si dhe ardhja e pushuesve nga Kosova i kanë dhënë sukses sezonit turistik të këtij viti në qytetin e Vlorës. Kryetari i Bashkisë së qytetit Shpëtim Gjika thotë se rreth 40 mijë pushues kanë hyrë çdo javë në Vlorë për të kaluar pushimet. Bashkia dhe organet tatimore ngritën gjatë këtij sezoni një grup të quajtur “task force” për të menaxhuar politikën e çmimeve.

Suksesi i sezonit veror të këtij viti në qyetin e Vlorës është mbështetur tek kthimi i emigrantëve nga Greqia dhe Italia si dhe tek disa mijëra pushues që kanë mbërritur nga Kosova.

Sipas të dhënave të bashkisë së qytetit reth 40 mijë pushues kanë hyrë çdo javë në qytetin bregdetar. Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika thotë se ndryshimi i imazhit të sigurisë dhe rendit për Vlorën dhe një fushatë më e mirë në paraqitjen e paketës turistike kanë bërë që qyteti të jetë më i preferuar këtë vit nga pushuesit.

Zoti Gjika thotë më tej se një grup i madh biznesmenësh, përfaqësuesish të rendit dhe të pushtetit vendor nga Vlora që në fillim të sezonit turistik kanë qëndruar për katër ditë në Kosovë për të paraqitur ofertën e turizmit. Kjo ka bërë thotë ai që të ketë më shumë pushues nga shqiptarët përtej kufijve.

Lidhur me shërbimet turistike zoti Gjika thotë se pas dymbëdhjetë vjetësh në Bashkinë e Vlorës ka nisur të funksionojë një drejtori e posacme për turizmin e cila ka bërë marketinguin e sezonit si dhe publicitetin. Me fondet e Bashkisë thotë ai është ndërtuar një Plazh publik, nga më të mirët e qytetit, si dhe janë kryer investime të mëdha në infrastrukturën rrugore. Ndërkaq edhe situata në furnizmin me energji elektrike këtë vit ka qenë pa probleme prej mbështetjes së Korporatës Energjitike.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës thotë më tej se në bashkëpunim me degën e Tatim Taksave është ngritur një grup i posaçëm i cili ka kontrolluar politikat e cmimeve. Kjo ka qenë një ndër pikat më të forta që ka shmangur spekulimet në tregun e hotelerisë dhe në shërbimet e tjera turistike, thotë zoti Gjika.

Vlora është qyteti i dytë në Shqipëri pas Durrësit që përballon fluksin më të madh të turistëve gjatë sezonit veror. Dy tre vitet më parë të ardhurat kryesore vinin në këtë qytet nga ekonomia kriminale trafiku i emigrantëve të paligjshëm dhe i narktoikëve drejt italisë fqinje. incidentet më të rënda detare me humbje jetë njerëzish e kishin prejardhjen tek këto forma të krimit.

Këtë sezon veror vlonjatët kanë hedhur vështrimin nga turizmi për të përmirësuar ekonominë e familjeve duke i dhënë një imazh të ri dhe të mbarë edhe qytetit.//ii

XS
SM
MD
LG