Lidhje

Në Hagë Sllobodan Millosheviçit filloi vetëmbrojtjen  - 2004-08-31


Ish udhëheqësi 63 vjeçar, u tregua sfidues ndërsa hapi mbrojtjen e tij kundër akuzave për krime ndaj njerëzimit, genocid, dhe krime lufte në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Sllobodan Millosheviçi i quajti akuzat ndaj tij si një “gënjeshtër të paskrupullt” dhe një “shtrembërim të historisë.” Ai tha se një “shtet shumë-etnik dhe shumë-fetar” sipas tij, është shkatërruar dhe se kjo ishte, siç u shpreh ai një “krim i rëndë ndërkombëtar.”

Zoti Millosheviç argumentoi se veprimet e Serbisë u ndërrmorën në përgjigje të kryengritjeve nga grupe të tjera etnike dhe të kërcënimeve të jashtme nga ekstremistët islamikë të cilët përfituan prej tensioneve në ish-Jugosllavi, për të krijuar probleme në Ballkan.

Ai tha në gjyqin e Kombeve të Bashkuara, se mijëra serbë u vranë, ose u dëbuan prej shtëpive të tyre në Kroaci, para se ushtria jugosllave të reagonte. Ai e quajti këtë një kryengritje kundër një shteti dhe këmbënguli se një shtet ka të drejtë të kontrollojë kryengritjen.

Zoti Millosheviç e ka akuzuar gjyqin për anshmëri kundër tij dhe popullit të Serbisë, dhe tha se gjyqi ka për qëllim të mbulojë krimet e luftës të kryera nga NATO-ja në Kosovë.

Ndaj ish udhëheqësit jugosllav janë ngritur më shumë se 60 akuza për genocid, krime lufte, dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftrave të viteve 1990 në Ballkan, gajtë të cilave u vranë më tepër se 200 mijë njerëz.

Zoti Millosheviç dëshiron të thërrasë më tepër se 1 mijë dëshmitarë, përfshirë ish presidentin Klinton dhe kryeministrin britanik Toni Blair.

Ish udhëheqësit jugosllav i janë dhënë 150 ditë gjyqi për të thënë historinë e tij. Nëse gjendet fajtor për ndonjë prej akuzave, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Prokurorët mbyllën paraqitjen e çështjes së tyre në janar pasi thirrën më shumë se 290 dëshmitarë.

Gjyqtarët duhet të vendosin nëse duhet të anashkalojnë kundërshtimet e zotit Millosheviç dhe të emërojnë një avokat për ish-presidentin, i cili po vetë-mbrohet.

Është njoftuar se zoti Millosheviç ka vuajtur nga tensioni i lartë, gripi dhe nga lodhja gjatë gjyqit, duke shkaktuar kështu vonesa.

//ze//

XS
SM
MD
LG