Lidhje

Moisiu: problemet zgjedhore kanë prodhuar institucione të dobëta  - 2004-09-13


Kur ka hyrë në vitin e tretë të veprimtarisë së tij si kryetar shteti, dhe në një moment kur ndodhet nën trysninë e të dy krahëve kryesorë të politikës shqiptare, Presidenti Alfred Moisiu mbajti një fjalim përpara parlamentit duke ngritur një seri shqetësimesh e duke i bërë thirrje politikës që të respektojë ligjet dhe kushtetutën e vendit. Presidenti Moisiu u ndal gjatë në çështjen e zgjedhjeve, duke qenë se pas gati 9 muajsh shqiptarët do të duhet të shkojnë përpara kutive të votimit sërish

Problemet zgjedhore, tha presidenti kanë prodhuar institucione të dobëta dhe kanë krijuar premisa për mbajtjen gjallë të konfliktualitetit, duke i sjellë dëm të madh politik, ekonomik e social vendit. Mangësitë e zgjedhjeve të fundit dhe ecuria e reformës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare po tregojnë sipas tij, se klasa politike nuk ka nxjerrë mësime nga krizat dhe dështimet e së kaluarës. Kjo situatë theksoi ai, është e papranueshme, e dëmshme dhe kërkon ndryshim te plotë, serioz, dhe të përgjegjshëm.

Kjo thirrje e presidentit vjen pikërisht pas bllokimit të punës për ndryshimet e kodit elektoral si pasojë e përplasjeve të forta mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Çështja e zgjedhjeve të lira, të ndershme e të barabarta duhet të zgjidhet një herë e mirë. Eshtë e papranueshme, deklaroi presidenti Moisiu që Shqipëria dhe shqiptarët të vazhdojnë të penalizohen për shkak të paaftësisë për të respektuar dhe numëruar votat kundër, duke na rrezikuar të sotmen dhe të ardhmen.

Kreu i shtetit u ndal edhe në disa probleme të tjera që lidhen me procesin e integrimit të vendit, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, afrimit të politikës me tregun informal, mungesën e transparencës në vendimmarrje, në menaxhimin e fondeve apo emërimet ende politike në administratë.

Presidenti theksoi se mandatet kushtetuese janë më të gjata se sa mandatet kohore të shumicave apo pakicave parlamentare, ndaj edhe zgjedhjet jo partiake janë ndihma më e madhe për stabilitetin dhe forcimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës. Një deklaratë që i ngjan më tepër një thirrjeje nga e ana e kreut të shtetit pikërisht në momentin kur ai duhet të dekretojë së shpejti drejtuesit e dy institucioneve kryesore, Guvernatorin e ardhshëm të Bankës së Shqipërisë dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Madje për këtë të fundit ai është gjetur nën një presion të hapur nga opozita.

Presidenti Moisiu kërkoi nga politika që ajo të mbajë premtimet e dhëna: “Përvoja e viteve të fundit ka nxjerrë në pah edhe mungesën e angazhimit me përgjegjësinë e kërkuar politike për zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme për vendin. Edhe pse fillimisht të gjitha forcat politike shprehën vullnet dhe angazhim politik për të zgjidhur me konsensus çështjen e pronave, atë të kompesimit të ish të përndjekurve politikë si dhe çështjet e lidhura me reformën zgjedhore, kalimi i tyre në Kuvend ishte zhgënjyes. Kjo përvojë e hidhur hedh hije dyshimi në aftësinë e duhur të politikës shqiptare për të mbajtur premtimet e dhëna dhe, për pasojë ul ndjeshëm besimin publik tek institucionet politike.”

Fjala e presidentit nuk u prit mirë nga opozita. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi menjëherë se pavarësisht problemeve shqetësuese që u ngritën, kreu i shtetit sipas tij ishte i vonuar dhe nuk kishte treguar fajtorët kryesorë të gjendjes së krijuar që sipas tij janë socialistët dhe kryeministri Fatos Nano:

“Ishte një fjalë në të cilën u trajtuan probleme të rëndësishme si integrimi dhe probleme të tjera por mendoj se duhet të vinte si Shën Thomai të vinte gishtin në plagë dhe vetëm në ktë mënyrë fjala e tij do të hynte në analet e parlamentit. Nuk erdhi si i tillë”,- tha ai.

I gjendur pak muaj më parë i pafuqishëm përballë socialistëve që rrëzuan disa dekrete të tij në parlament, aktualisht kreu i shtetit është sulmuar disa herë redhazi nga opozita e cila pretendon prej tij shpërndarjen e parlamentit pasi sipas saj socialistët kanë humbur shumicën.// lk //

XS
SM
MD
LG