Lidhje

Shqipëri: thellohet edhe më tej deficiti tregtar - 2004-09-19


Deficiti tregtar i Shqipërisë është thelluar muajt e fundit edhe me dy pikë të tjera për shkak të rritjes së importeve, duke e rënduar më tej balancën e prishur prej vitesh mes eksporteve dhe importeve shqiptare. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, importet e mallrave nga jashtë vendit kanë arritur në afro pesë herë më të larta se eksportimi i prodhimit vendas.

Ekspertët pohojnë se një rritje të konsiderueshme kishte në periudhën e matur importimi i grupit të mallrave “ushqime, pije alkoolike, duhan”. Rritje të ndjeshme ka patur edhe importimi i prodhimeve të drurit dhe të letrës. Ndërsa sa u përket eksporteve, vlen për t’u veçuar sipas ekspertëve, rritja me 9 herë e shitjes së energjisë elektrike dhe mineraleve shqiptare.

INSTAT ka vërejtur gjithashtu se pjesa dërrmuese e tregtisë shqiptare, mbi 70 për qind e saj, zhvillohet me vendet e Bashkimit Europian. Italia dhe Greqia si vende fqinje mbeten partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Eksportet shqiptare me Italinë janë 7 herë më të larta se ato me Greqinë, dieferencë që vazhdon të rritet. Përveç vendeve fqinje, Shqipëria po i rrit gradualisht eksportet edhe me Britaninë e Madhe, Hollandën, Turqinë dhe Rumaninë. Ndërsa tek importet po zënë vend gjithnjë më të madh Belgjika, Austria dhe Bullgaria.

Deficiti i thellë tregtar i Shqipërisë ka mbetur kështu i pandryshuar për një kohë të gjatë dhe nuk pritet që të ketë ndonjë zbutje të shpejtë, megjithë favorizimet e shumta që sjellin për zhvillimin e bizneseve marrveshjet e tregtisë së lirë që janë nënshkruar mes vendeve të rajonit.

Nga ana tjetër, studiues të ekonomisë mendojnë se kontrolli mbi inflacionin e ulët po luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin makro-ekonomik të vendit. Inflacioni asnjëherë nuk ka qenë mbi 4 për qind, sipas Bankës së Shqipërisë, e cila po punon që po aq, ai të mbetet edhe për disa vite të tjera. Autoritetet e financave po synojnë të arrijnë një rritje ekonomike vjetore rreth 6 për qind, në mes të kritikave të shumta të studiuesve të pavarur shqiptarë dhe evropianë.

Përfaqësues të BE kanë shprehur rezerva për reforma ekonomike e ligjore të pamjaftueshme të Shqipërisë dhe mospërmbushjen në kohë të standarteve që parashikohen gjatë negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Një vend jo të vogël midis tyre zënë edhe standartet ende të paplotësuara të prodhimeve shqiptare që synojnë t’u drejtohen tregjeve evropiane.// lk //

XS
SM
MD
LG