Lidhje

Muzeu i ri kushtuar indianëve nderon banorët autoktonë të Amerikës - 2004-09-22


Washingtoni, si shumë kryeqytete të botës, është i pasur me muzeume të ndryshme. Verën që sapo kaloi u përurua Memoriali i Luftës së Dytë Botërore. Këtë javë u hap muzeumi i indianëve të Amerikës, të cilët gjithnjë kanë pasur lidhje të ngushta me natyrën. Dhe kur arkitektët projektuan këtë muzeum, ata dëshironin që kjo strukturë të dukej sikur ishte gdhëndur nga errërat dhe shirat. Ata donin gjithashtu të ndërtonin një muzeum që të shkrihej me natyrën, duke u kujtuar kështu indianëve vendin e tyre.

Tema e natyrës shikohet në të gjitha mjediset e muzeumit, ku drita e diellit depërton nga një sërë dritaresh në formë shkalle dhe nga kupola e muzeut. Dhe natyrisht që edhe të gjitha artifaktet vijnë nga natyra, mbi 800 mijë objekte, të prodhuara nga indianët, që jetonin dhe ende jetojnë në pjesën më jugore të Amerikës Jugore dhe deri në Arktik.

Në ditën e parë të vjeshtës, indianët e Amerikës ishin lutur që moti të ishte i mirë me rastin e përurimit të muzeumit. Më shumë se 20 mijë indianë, që përfaqësonin 400 fise mbrritën këtu në Washington me këtë rast. Shumë prej tyre kishin veshur kostumet tradicionale, si për shembull Patty Brown Schwalenberg.

“Unë jam gjysëm indiane dhe sot nuk mund të mendoj për ndonjë vend më të mirë për të shkuar se sa këtu, ku ndodhen kaq shumë indianë të Amerikës. Unë kam shkuar në shumë ceremoni të mëdha me shumë indianë, por ky muzeum është diçka e mrekullueshme, diçka fenomenale.”

K.C. Reynolds erdhi me burrin e saj dhe djalin 14 vjeçar për të festuar trashëgiminë e tyre.

“Të gjithë e kanë origjinën nga vende të ndryshme, ndërkohë që njerzit tanë kanë qënë këtu, prandaj ne jemi të lidhur me tokën dhe traditën tonë. Dhe më e rëndësishmja për ne është që të sigurohemi që brezat e ardhshëm t’i vazhdojnë traditat tona.”

Traditat dhe ritualet indiane janë ekspozuar në të gjitha mjediset e muzeumit. Muzeu pasyron kulturën dhe historinë disa shekullore të indianëve, përfshirë të atyre vendeve indiane, që nuk ekzistojnë më. Përgjegjësit e muzeumit thonë se i gjithë muzeu pasqyron historinë e indianëve të Amerikës, krijimtarinë e tyre dhe do të jetë edhe një frymëzim për brezat e ardhshëm.

Herë herë, historia e indianëve të Amerikës ka qënë tragjike dhe ky aspekt pasqyrohet në muzeum. Në një ekspozitë janë vendosur traktatet dhe marrëveshjet e nënshkruara nga indianët, të cilat ata prisnin që të respektoheshin e të zbatoheshin. Ekspozita të tjera pasqyrojnë medalje paqeje, si këto të dyja me fytyrën e presidentëve Thomas Jefferson dhe Andrew Jackson. Në disa të tjera shikohen armë të përdorura nga indianët si dhe kundër tyre.

Ky muzeum mund të jetë një pikë kthesë në historinë e popujve autokotonë në hemisferën perëndimore. Ata kanë tani një vend ku i tregojnë botës historinë e tyre 10 mijë vjeçare nëpërmjet artifakteve, historive të tyre dhe ritualeve shpirtërore.

//ze//

XS
SM
MD
LG