Lidhje

Shqipëria shpreson të tërheqë investimet amerikane - 2004-09-23


Në Nju Jork u zhvillua të enjten një konferencë për investimet në Shqipëri. Konferenca e organizuar me nismën e qeverisë shqiptare në bashkepunim me Departamentin amerikan te Tregëtisë, synon tërheqjen e investimeve amerikane në Shqipëri. Në Konferencë mori pjesë kryeminstri Fatos Nano i shoqëruar nga një grup afaristesh shqiptare, si dhe nënsekretari amerikan i tregëtise William Lash.

Vetë titulli i Konferencës “Investimi juaj i ardhshëm: Shqipëria”, ishte një ftesë e hapur që qeveria shqiptare i bëri kompanive dhe bizneseve amerikane për të investuar. Në konferencë morën pjesë zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Tregëtisë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare financiare dhe përfaqësues të kompanive të huaja që kanë bizneset e tyre në Shqipëri.

Delegacioni shqiptar shoqërohej edhe nga dhjetra biznesmenë shqiptarë. Megjithatë nga kompanitë pjesëmarrëse, vetëm dy ishin kompani që nuk kanë biznes në Shqipëri dhe që kishin interes të merrnin informacion për investime të mundshme. Bëhet fjalë për dy kompani telekomunikacioni: Adonai, Western Wireless.

Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, hapi konferencën duke thënë se vendi i tij po bëhet dita-ditës pjesë e ekonomisë globale dhe ofron avantazhe konkurruese përmes kostos së ulët të fuqisë punëtore dhe burimeve të shumta natyrore.

Kryeministri shqiptar ftoi kompanitë amerikane të marrin pjesë në tenderat që do zhvillohen për privatizimin e sektorëve strategjikë.

Ndërsa nënsekretari amerikan i tregëtisë, William Lash tha se Departamenti i tij po punon për nxitjen e kompanive amerikane për të investuar në Shqipëri, pasi Shtetet e Bashkuara kanë gjetur tek Shqipëria një mike të mirë.

Përveçse një vend me stabilitet në rajon, Shqipëria mund të shërbejë edhe si një treg i mirë për kapitalet amerikane.

Ministria e Ekonomisë bëri prezantime të hollësishme të lehtësirave që ofron legjislacioni shqiptar në fushën e investimeve për kompanitë e huaja.

Kryeministri Nano vazhdon vizitën e tij në New York ku nesër pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, ndërsa të shtunën shkon në Boston për t’u takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan atje.

XS
SM
MD
LG