Lidhje

Kosovë: Autoritetet vlerësojnë zgjedhjet dhe bëjnë thirrje për ngritje të shpejtë të institucioneve  - 2004-10-23


Në Kosovë, nesër priten rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare, të cilat u bojkotuan nga 99 përqind e serbëve.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë bërë thirrje për themelim sa më të shpejtë të institucioneve që do të ndërtohen në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të djeshme, ndonëse ende nuk ka të dhëna zyrtare.

Udhëheqësit politikë vendorë u shprehën të kënaqur me rrjedhën e votimeve dhe u zotuan për njohje të rezultateve përfundimtare. Shefi i Misionit të Kombev të Bashkuara, Soren Jessen-Petersen, tha sot se fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është vetë Kosova e cila kaloi një sprovë shumë të rëndësishme për të ardhmen e saj.

“Sa më parë që të shpallen rezulatet, partitë politike duhet t’i pranojnë ato dhe të fillojnë punën për përmbushjen e kërkesave të votuesve të tyre, të dëgjojnë zërin e pakicave kombëtare dhe të jenë të përkushtuar për përmbushjen e standardeve”, tha zoti Jessen-Petersen duke nënvizuar se nuk ka shumë kohë për të humbur dhe duhet përshpejtuar tërë procesi politik.

Udhëheqës të partive politike në Kosovë në takime të vecanta me gazetarë, thanë se zgjedhjet e djeshme treguan për një shkallë të lartë të kulturës demokratike.

Presidenti i Kosovës dhe kryetar i Lidhjes Demokratike, ibrahim Rugova tha sot se partia e tij ka fituar numrin më të madh të votave, ndërsa më e rëndësishmja është se zgjedhjet ishin të lira e të drejta.

“Mbajtja me sukses e zgjedhjeve të dyta kombëtare, tregon se Kosova është e aftë të udhëheqë veten dhe se ka ardhur koha që të njihet pavarësia e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës dhe do të krijonte perspektiva të reja për popullin e Kosovës”, tha presidenti Rugova.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij e cila sipas vlerësimeve të saj të para ka fituar rreth nëntë për qind të votave, i cilëson zgjedhjet si të drejta dhe demokratike.

“Ju e dini dhe të gjithë ne kemi qenë të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm është kalimi i këtij testi, sprovë që është kaluar edhe më parë nga Kosova, por kësaj radhe kemi të bëjmë edhe me planin e standardeve për Kosovën”, theksoi zoti Haradinaj.

Zgjedhjet u cilësuan si të lira e të drejta edhe nga vëzhguesit e Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian. Europarlamentarja Doris Pack, tha se tash është koha për më shumë përgjegjësi për institucionet e Kosovës.

“UNMiK-u duhet të kalojë më shumë kompetenca tek qeveria e re në mënyrë që kah mesi i vitit të ardhshëm ajo të vlerësohet në bazë të të arriturave të saj”, tha zonja Pack.

Autoritetet ndërkombëtare dhe vendore janë shprehur të zhgënjyera me pjesmarrjen e vogël të pjestarëve të komunitetit serb në zgjedhjet e djeshme.

Shefi i “Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë”, Oliver ivanoviq tha se ishin disa arsye që ndikuan në këtë, mendimet e ndara në Beograd, thirrjet e vonuara për dalje në zgjedhje dhe fushata e fortë kundër votimeve.

“Qeveria e Serbisë është dëshmuar si qeveri e një opcioni politik, tha zoti ivanoviq, duke e akuzuar atë për mbështetjen e fushatës kundër zgjedhjeve”.

Ai nënvizoi se kandidatët serb që dolën në zgjedhje nuk mund të jenë të kënaqur në asnjë mënyrë me votimet, por “janë fitues moral të procesit”.

Sidoqoftë, zgjedhjet përfunduan dhe rezultatet e para zyrtare pritet të shpallen gjatë javës, kur pritet të fillojnë edhe këshillimet e para për formën e qeverisjes.

Deri tash asnjë parti politike nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm të votave për të qeverisur e vetme dhe koalicionet janë të pashmangshme. Ajo për të cilën angazhohen të gjithë është që debatet për këtë të mos zgjasin sikurse edhe herën e kaluar me muaj të tërë.

XS
SM
MD
LG