Lidhje

Presidenti Bush po e vazhdon fushatën me një seri fjalimesh më optimiste - 2004-10-29


Pas disa javë sulmesh rreth kredibilitetit të rivalit të tij demokrat, John Kerry, presidenti Bush filloi atë që këshilltarët e tij thonë se është një pjesë më frymëzuese e kësaj fushate, duke u thënë përkrahësve republikanë në qytetin Manchester se gjërat duken më mirë.

“Në 4 ditët e fundit të fushatës, unë do t’i parashtroj popullit të këtij vendi vizionin tim të një Amerike më me shpresë. Dhe kjo është arsyeja që kam ardhur në New Hampshire për të folur rreth një të ardhme më me shpresë për të gjithë ne. Sot, ekonomia jonë është e fortë dhe po forcohet edhe më tej.”

Presidenti tha se shkurtimet e tij rekord të taksave po ndihmojnë në stimulimin e ekonomisë, megjithë zhvillimin më të ulët se sa pritej të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

Zoti Bush përsëriti ato që ai tha se janë arritjet e tij të politikës së brëndshme, përfshirë reformën e arsimit dhe ndryshimet në kujdesin shëndetsor. Por në mbrojtjen e luftës në Irak dhe luftës kundër terrorizmit, presidenti nuk përmendi akuzat kundër senatorit Kerry, të cilat janë pritur gjithnjë me duartrokitje nga përkrahësit e tij. Deri dje, presidenti Bush e akuzonte senatorin demokrat se ka votuar kundër financimit të trupave në luftë dhe ka sugjeruar që Amerika duhet të kalojë një farë prove globale para se Shtetet e Bashkuara të dislokojnë trupat e tyre.

Këto kritika në adresë të senatorit janë pritur me brohoritje të shumta nga grumbuj republikanësh në të gjithë vendin. Por fjalimi i sotëm në New Hampshire ishte i pari pas disa muajsh me radhë gjatë të cilit presidenti as që e përmendi emrin e senatorit, madje as që iu referua fare rivalit të tij demokrat. Këshilltarët e fushatës thonë se kjo po bëhet në përpjekje për të tërhequr votuesit e pavendosur, strategji e zëvëndësuar më parë nga përmendja e emrave të kandidatëve. Këshilltarët e fushatës së presidentit Bush thonë gjithashtu se kjo strategji e re do të bëjë që votuesit të ndjehen më pozitivë rreth presidentit, duke lënë mënjanë politikat partiake.

Në vend që ta tallte rivalin e tij demokrat rreth ndryshimit të qëndrimit lidhur me Irakun, presidenti Bush u përpoq t’i frymëzonte të gjithë amerikanët duke i cilësuar ndërhyrjet ushtarake në Afganistan dhe në Irak si pjesë të realizimit të asaj që ai e cilësoi si detyrën më fisnike të historisë amerikane.

“Ne jemi vendi që çliruam Evropën dhe u përballëm me ish armiqtë në Gjermani dhe në Japoni dhe i dhanë shpresë njerzve të robëruar pas perdes së hekurt. Çlirimi i më shumë se 50 milion njerzve në kohën tonë është një arritje fisnike dhe çdo amerikan mund të jetë krenar për këtë arritje.”

Në se zgjidhet për një mandat të dytë, presidenti Bush tha se do të vazhdojë të luftojë terrorizmin nëpër botë, në mënyrë që amerikanët të mos përballen me të këtu në atdhe. Shtimi i sigurisë së Amerikës ka qënë themeli i fushatës së presidentit për t’u rizgjedhur.

Pas dy manifestimeve në New Hampshire, presidenti i jep fund fushatës së sotme me tubime në shtetin Ohio, ku ai do të shoqërohet nga guvernatori popullor republikan i Kalifornisë, Arnold Shvarcenegër.

//ze//

XS
SM
MD
LG