Lidhje

FMNja dhe Banka Botërore vëzhgojnë standartet në reformat e ekonomisë shqiptare - 2004-11-10


Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë dërguar këto ditë në Shqipëri grupe specialistësh për të vëzhguar standartet ndërkombëtare gjatë reformave ekonomike. Analizat e tyre mbi sistemin financiar, atë bankar dhe tregun e sigurimeve vijnë ndërkohë që specialistët shqiptarë kanë përgatitur project-buxhetin e vitit 2005.

Një grup specialistësh të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore po vizitojnë Tiranën në përpjekje për të parë nga afër zhvillimet e fundit të ekonomisë së vendit si dhe ndryshimet e sektorit financiar. Misioni i vlerësimit të sektorit financiar të Bankës Botërore dhe Departamentit të Kërkimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar po takohen me zyrtarët më të lartë të financave shqiptare dhe po vëzhgojnë respektimin e standardeve ndërkombëtare të kësaj fushe.

Sipas njoftimeve nga Ministria e Financave, ekspertët po mbledhin të dhëna për transparencën e mbikqyrjes bankare dhe politikave monetare si dhe për sistemin e pagesave të Shqipërisë. Në qendër të vëmendjes është vendosur gjithashtu edhe puna që bëhet në Shqipëri kundër pastrimit të parave dhe sektori shqiptar i sigurimeve që vlerësohet si shumë kompleks.

Autoritetet shqiptare janë angazhuar për një bashkëpunim të ngushtë në nxjerrjen dhe përpunimin e të dhënave si dhe për të rritur rezultatet e sistemit financiar krahas respektimit të standardeve ndërkombëtare.

Ekipet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërritën ndërkohë që qeveria dhe grupet e ekspertëve janë duke mbyllur përgatitjen e projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2005. Nga ministria e Financave bëhet e ditur se bashkë me project-buxhetin do të paraqitet edhe një paketë e re fiskale. Komiteti ndërministror i politikave ekonomike filloi shqyrtimin e paketës fiskale dhe project buxhetit të vitit 2005 dhe pritet që të dyja materialet të miratohen nga Këshilli i Ministrave të enjten, për t’i kaluar Parlamentit Brenda këtij muaji, duke hapur edhe një debat të gjerë publik.

Është bërë tashmë e zakonshme që project-buxheti përgatitet në javët e fundit të çdo viti, por debatet e specialistëve për këtë ligj mbeten gjithnjë të vakëta dhe me gjithë kritikat e shumta që bëhen, ato nuk reflektohen gjerësisht mbi project.

Zyrtarët i reduktojnë kritikat vetëm prapa shprehjeve se materialet janë të konsultuara me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Shqipëria përpiqet të zbatojë prej disa vjetësh një strategji kombëtare për zbutjen e varfërisë dhe zhvillim ekonomik dhe të gjitha fondet vendase dhe financimet nga jashtë i ka kanalizuar në realizimin e kësaj strategjie.

XS
SM
MD
LG