Lidhje

SHBA: zgjedhjet presidenciale dhe Gjykata e Lartë amerikane - 2004-11-14


Një nga rezultatet e zgjedhjeve të 2 nëntorit në Shtetet e Bashkuara është se Partia konservatore Republikane mbajti kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe konsolidoi shumicën në Kongres. Por nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kenë këto zgjedhje për Gjykatën e Lartë amerikane. Siç njofton korrespondenti ynë, Andrew Baroch, përkrahësit konservatorë të Presidentit Bush, janë të bindur se gjatë mandatit të tij të dytë, gjykata e lartë do të shkojë patjetër nga e djathta.

Një gjykatë e lartë më konservatore do të ndryshonte atë që shumë amerikanë e konsiderojnë si rënie morale të vendit, një trashëgimi, për të cilën ata besojnë se ka ardhur nga një gjykatë liberale që legalizoi abortin dhe krijoi një ndarje të qartë mes kishës dhe shtetit. Michael Greve analist ligjor në Institutin amerikan Enterprise, thotë se në zgjedhjet e fundit, shqetësimet e votuesve për vlerat morale, siç e treguan sondazhet pas zgjedhjve, dhe suksesi i referendumit për ndalimin e martesave të homoseksualëve, duhet t’i dërgojë një mesazh të qartë gjykatës së lartë.

“11 shtete kishin amendamente kushtetuese për homoseksualët, pikërisht sepse u trembeshin gjykatave. Konservatorët socialë i dhanë fitoren Presidentit”.

Por a do të marrë Gjykata e Lartë amerikane vendime të reja për çështje kyçe sociale për shkak të rezultatit të zgjedhjeve? Sheldon Goldman, profesor i shkencave politike në Universitetin e Massachusetts në Amherst thotë:

“Për mendimin tim, në qoftë se anketat e opinionit publik ishte me shumicë dërmuese kundër abortit, ndoshta anëtarët e gjykatës duhet ta shqyrtojnë këtë. Ose të paktën një ose më shumë prej tyre mund të fillojnë t’i kushtojnë vemendje. Por deklaratat e zgjedhësve pas votimeve se kishin votuar për Bushin mbi bazën e vlerave morale, nuk do të ndryshojnë votën e gjykatësve”.

Por ajo që po ndryshon qartazi në Gjykatën e Lartë është se të paktën disa nga gjykatësit, të cilët marrin emërim të përjetshëm, janë të moshuar. Kryetari i Gjykatës William Rehnquist u diagnostikua kohët e fundit me një formë të rëndë kanceri në tiroide.

David Garrow, profesor në Universitetin Emory në Atlanta të Georgia-s, është ekspert i Gjykatës së Lartë.

Meqë për fat të keq në Shtetet e Bashkura mosha e pensionit për anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk ka kufi, është bërë e zakonshme të kemi gjykatës jo vetëm në të 70-at por edhe në të 80-tat. Tani në Shtetet e Bashkuara askush nuk vë kandidaturën për president në moshën 80-vjeçare, por është bërë praktikë që gjykata e lartë të përbëhet nga anëtarë mbi 65 vjeç dhe në shumë raste mbi 70 ose 80 vjeç.

Vetëm gjykatësi Clerance Thomas është më i ri se 65 vjeç. Analistët e Gjykatës së Lartë besojnë se si rezultat i moshës dhe shëndetit të dobët, ndoshta tri nga gjykatësit ka të ngjarë të japin dorëheqjen gjatë 4 vjetëve të ardhëshëm. Kjo do t’i jepte Presidentit Bush një mundësi të jashtëzakonëshme për t’i zëvendësuar ata me konservatorë të të njëjtave pikpamje. Por analistë të tjerë mendojnë se emërimi i kandidatëve konservatorë mund të mos fitojë miratimin e Senatit, edhe pse ai është i kontrolluar nga republikanët, sepse demokratët mund ta bllokojnë votimin pa kufi, ndërsa republikanët nuk kanë 60 përqind të shumicës për ta kapërcyer bllokimin.

Presidenti Bush është shprehur se favorizon emërimin e gjykatësve me pikpamje konstruksioniste për kushtetutën, një filozofi juridike që përgjithësisht është kundër abortit.

Aktualisht nuk është e qartë se çfarë rreziqesh ka ndërmed të marrë parasysh Presidenti Bush për të riorganizuar Gjykatën e Lartë, një betejë të gjatë në Senat apo akuzat se ai e ka ndarë vendin lidhur me çështjen e abortit.

Por një gjë është e qartë, në qoftë se emërimet e tij nuk e çojnë Gjykatën e Lartë drejt së djathtës, Presidenti Bush rrezikon të humbasë mbështetjen e koservatorëve fetare dhe socialë që e ndihmuan atë të rizgjidhej për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG