Lidhje

Genc Ruli: Financimi i fushatave elektorale rrezikon të sjellë krimin në politikë - 2004-12-09


Problemi i korrupsionit në Shqipëri është një problem i vjetër i përfolur tashmë shumë. Shqipëria renditet si një prej vendeve më të korruptuara, të paktën në Evropë dhe ndonëse qeveria disa herë ka thënë se po merr masa për ta luftuar, rezultatet kanë munguar. Siç tha edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Marsi Ris, duhet kaluar nga fjalët tek veprat. Korrupsioni, krimi i organizuar, dobësia e sistemit të drejtësisë, zgjedhjet për herë të kontestueshme, janë disa prej elementëve që flasin për dobësinë e institucioneve qeverisëse.

Intervistë e Zërit të Amerikës me Presidentin e Institutit të Studimeve Bashkëkohore Genc Ruli.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, vëzhgues të ndryshëm janë shprehur se thelbi i problemit është lidhja e pushtetit me interesat ekonomike, e thënë ndryshe, zyrtarët i shohin postet si një vend për të përfituar dhe jo për t’i shërbyer publikut. A jeni dakort me këtë konstatim dhe si mund të dilet nga kjo gjendje?

Genc Ruli: Ky është një konstatim më se i drejtë. Për ta vendosur më saktë dhe historikisht në kohë do të thoja që Shqipëria në ndryshim nga disa vende të tjera të tranzicionet, këtë fenomen, që në një gjuhë më profesionale quhet “kapja e shtetit”, e ka një zhvillim të viteve mbas 1997. Vërtetë korrupsioni predominant në Shqipëri në vitet ’92 - ’97 i ngjante kryesisht korrupsionit administrativ, që shtrihej në nivelet e ulta të administratës, ndërsa sot ka ndodhur ajo që quhet kapja e shtetit, pra marrja e vendimeve, nxjerrja e ligjeve sipas interesave të grupeve të veçanta të biznesit dhe jo sipas interesave të gjera publike. Ky fenomen në Shqipëri është evidentuar nga të huajt, është evidentuar nga shoqëria civile, është evidentuar nga media dhe do të thoja që përbën për momentin ogurin më të zi të shoqërisë shqiptare dhe nga ana tjetër faktorin që kompromenton më shumë të ardhmen e Shqipërisë. Jo më kot kjo është në epiqendër të çdo kritike që drejtojnë qoftë raportet e Brukselit, qoftë donatorë apo shtete të ndryshëm që prononcohen në lidhje me Shqipërinë. Dalja nga kjo është pa dyshim një rrugë tepër klasike, është vetëm fuqizimi i institucioneve dhe një vullnet politik për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Unë do të thoja që boll të përmendim eksperiencën e dy vendeve të cilët në shumë aspekte kanë qënë të krahasueshme me Shqipërinë për një periudhë të gjatë gjatë kësaj dekade të fundit, të cilët me një marrëveshje konsensuale dhe një vullnet tashmë domosdoshmërisht të arritur, siç janë Bullgaria dhe Rumania, vendosën që forma të tilla të korrupsionit që prishin imazhin e shtetit dhe funksionalitetin e tij të merrnin fund dhe prandaj u shpërblyen dhe me një hyrje në Bashkimin Evropian ose me afrimin e statusit të kandidatit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, janë bërë disa muaj që Shqipëria duket sikur ka filluar fushatën elektorale për zgjedhjet që ende nuk kanë datën të caktuar. Mesazhet nga bota kanë qënë tepër të qarta për rëndësinë e tyre. Por a është e aftë Shqipëria të përballojë një fushatë të tejzgjatur elektorale? Me sa keni vënë re ju deri tani, a po shkohet në rrugën e duhur?

Genc Ruli: Problemi në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri është një problem thelbësor fatkeqësisht, do të thoja pse jo, edhe në mënyrë të turpshme, ne kemi si kusht kryesor në lidhje me gjithë procesin e asociim-stabilizimit, problemin e zgjedhjeve, në vend që ndaj nesh të kishte kushte që kanë të bëjnë me standartet e institucioneve, me harmonizimin që po i bëjmë politikave të institucioneve tona në raport me ato të Bashkimit Evropian, ne kemi një parakusht të tillë që është gati elementar: “bëni njëherë zgjedhje që janë për të qënë”. Po e them në këtë gjuhë kaq të thjeshtë, sepse vërtetë i tillë është nervozizmi i donatorëve, i ndërkombëtarëve kur shprehen në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Cili është historiku i këtyre 15 vjetëve? Shqipëria karakterizohet si vendi i zgjedhjeve të kontestuara. Nuk ka asnjë zgjedhje të bëra në harkun e këtyre 15 vjetëve, që të mos jenë kontestuar nga pala që i humb. Përsa i përket fillimit të një fushate të gjatë, unë do të thoja që pikërisht konfliktualiteti karakteristik, shumë agresiv që egziton në politikën shqiptare, bën që Shqipëria të jetë në një gjendje permanente fushate elektorale. Nuk vë re asnjë moment të dobësimit, të uljes, të çtensionimit të konkurencën midis partive, as kur mbarojnë zgjedhjet. Ajo vazhdon me të njejtin intensitet dhe Shqipëria po e përballon, por me kosto të mëdhaja, që pikërisht ka mbetur mbrapa, më mbrapa se vendet me të cilat nuk ishte më mbrapa pak vite më parë, në proceset kryesore të integrimit dhe ka mbetur mbrapa për një kusht kaq elementar, i cili është ABC-ja e demokracisë, që të paktën të bëhen zgjedhje normale dhe të sigurorhet rotacioni normal i pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve. A do ta durojë dot këtë kosto për këto muaj Shqipëria? Sigurisht që do ta durojë, është e detyruar që ta përballojë këtë kosto të një fushate agresive. Unë nuk do të doja të mendoja që neve dhe këtë herë do të dëshmojmë që nuk dimë të bëjmë zgjedhje, por sigurisht kjo nuk varet as nga numri i vëzhguesve të huaj që do të vinë, as nga angazhimi i shoqërisë civile shqiptare apo i medias shqiptare në monitorimin e këtyre zgjedhjeve, kjo varet që pari nga vullneti politik i vetë forcave politike. Në fund të fundit, procesin zgjedhor e deformojnë vetë forcat politike dhe vullneti i tyre.

Zëri i Amerikës: Vëzhgues të ndryshëm por edhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim për përpjekjet e krimit të organizuar dhe të atij ekonomik për t’u përfshirë edhe në jetën parlamentare të vendit. Sa është realisht e kërcënuar Shqipëria?

Genc Ruli: Do të thoja që para se ta kenë shprehur ndërkombëtarët, këtë gjë e kemi artikuluar ne, aktorët e brendshëm shqiptarë, se ne e ndjejmë drejtëpërsëdrejti në lëkurë këtë rrezik. Unë do të thoja që pavarësisht debatit shumë konkret, që bëhet mbi çështjet kryesore të legjislacionit elektoral, mbi kompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo mbi zonat elektorale, problemi i vërtetë në zgjedhjet e ardhshme qëndron jo tek manipulimet e dukshme dhe të kapshme, por tek prishja e asaj që është esenciale në një proces zgjedhor. Faktikisht procesi zgjedhor është baza e demokracisë, sepse siguron përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet votës. Kam parandjenjën, ndoshta jo vetëm parandjenjën, por edhe llogjika më çon në të, që interesat e partive politike, sidomos dy partive të mëdha, për të përballuar një fushatë që kushton shumë dhe nga ana tjetër lidhjet e forta që kanë krijuar me segmente të mëdhaja të ekonomisë, madje me segmente kriminale të ekonomisë shqiptare, do të bëjë që të financohen nga këto grupe dhe jo vetëm të financohen, por të sjellin pinjollët e këtyre grupeve në politikë. Ky është një rrezik shumë konkret. Në këtë rast procesi mund të duket shumë normal në pamje të jashtme, nuk do të përdoret policia për të manipuluar zgjedhjet, nuk do të ketë manipulim me lista, do të jetë normal procesi në kutinë e votimit, por në vetvete produkti që do të dalë, nuk do të jetë vullneti i shqiptarëve, po do jetë vullneti i një klike, i asaj që e quajmë tashmë koncerni politiko-biznes-media, i asaj pjese të medias, që i është bashkëngjitur politikës dhe biznesit, që do të kapi dhe do të uzurpojë vullnetin elektoral të shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG