Lidhje

Kosovë: Familjet e të zhdukurve padisin zyrtarë dhe ish-zyrtarë serbë - 2004-12-30


Shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë njoftuan të enjten ngritjen e një akt-padie penale kundër presidentit të Serbisë Boris Tadiç, kryeministrit Vojisllav Koshtunica, ministrit të jashtëm Vuk Drashkovic, ish-ministrit të brendshëm Dushan Mihajllovic, ish ministrit të jashtëm Goran Svilanoviç dhe ish-zëvëndëskryeministrit Nebojsha Çoviç, nën akuzën për pjesëmarrje active në luftën e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, mosdënimin e krimeve dhe genocidit në këto vende, fshehjes së të akuzuarve per krime lufte nga gjykata e Hagës, fshehjes së provave të krimeve të luftës, fshehjes së informacioneve për vendndodhjen e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur dhe mbajtjen peng të kufomave të shqiptarëve të gjetura në varrezat masive në Serbi.

Të gjithë këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë serbë akuzohen se kanë shkelur të drejtën humanitare dhe konventa të tjera ndërkombëtare ne lidhje me vepra që cilësohen krime kundër njerëzimit. Kjo akt-padi i është dërguar kryeprokurores së gjykatës së Hagës Karla del Ponte, kryeprokurorit public të Kosovës Ilmi Zhitia dhe prokurorit ndërkombëtar në Kosovë.

Shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur, theksojnë se provat për këtë akt-padi penale mund të gjenden në komisariatin e lartë për të drejtat e njeriut në Prishtinë, komisionin ndërkombëtar për personat e zhdukur, me seli në Sarajevë, zyra e UNMIK-ut për persona të zhdukur, këshilli për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, fondi për të drejtën humanitare me seli në Beograd, avokati i popullit në Kosovë, Marek Antoni Novicki, dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore.

Deri tani nga Serbia janë kthyer 354 trupa ndërkohë që nga 1170 zhvarrime që janë bërë, janë identifikuar 849 trupa të cilët u janë kthyer familjeve të tyre. Prej tyre, 641 janë shqiptarë dhe 98 nga komunitetet jo-shqiptare. Për identifikim përmes analizës së ADN-së janë dërguar 2160 mostra që paraqesin 2009 persona, nga të cilët komisioni ndërkombëtar për persona të zhdukur ka kthyer 797 rezultate, nga të cilat, 613 kanë qenë positive që do të thotë se këto trupa janë identifikuar.

XS
SM
MD
LG