Lidhje

Robotët e planetit Mars - 2005-01-04


Për habinë e menaxherëve të misionit dhe shkencëtarëve, dy robotët të quajtur “Spirit” dhe “Opportunity”, që u ulën në Mars në janar të vitit të kaluar tri javë pas njëri-tjetrit, vazhdojnë të dërgojnë në tokë pamje të cilësisë së lartë dhe të dhëna të tjera rreth mjedisit në të dyja skajet e marsit. “Për mendimin tim, gjëja më mahnitëse është që robotët të vazhdojnë të funksionojnë”.

Gjeologu Stephen Squyres i Universitetit Cornell drejton ekipin që kontrollon robotin Opportunity. Ky robot gjeti të dhëna kimike në shtratin shkëmbor, marsin e kaluar, sipas të cilave një det i cekët me ujë të kripur kishte ekzistuar dikur në mars. Disa muaj më pas, edhe Spirit gjeti gurë të transformuar nga uji në hemisferën tjetër të Marsit, të dhëna që dëshmojnë kullimin e ujit, ndërsa formoheshin shkëmbinjtë.

“Trashëgimia afatgjatë e misionit, do të jetë që njerëzit në Tokë do ta kuptojnë se në planetin tonë simotër Mars, ka patur shenja jete. Se çfarë do të thotë një gjë e tillë për origjinën e jetës, apo për zhvillimin e jetës, do të përcaktohet nga programet e ardhshme në mars”.

Shkencëtarët nuk e kishin parashikuar që robotët do të kishin një jetëgjatësi të tillë. Por kushtet në Mars ndihmuan, pasi dimri atje ishte jo aq i acartë sa ç’pritej dhe rëra që u përplas në panelet e energjisë diellore jo aq e dendur. Kjo bëri që bateritë e robotëve të rezistonin për një kohë më të gjatë. Problemet mekanike ishin të vogla.

Por shkecëtarët e misionit kanë bërë edhe zbulime të tjera. Stephen Squyres thotë se Spirit ka ndeshur një shkëmb që e kanë quajtur Wishstone, që ka një përbërje krejt të veçantë nga çdo gjë tjetër që është hasur deri tani në Mars, por që mund të jetë një tregues tjetër se në Mars ka patur ujë.

Ndërsa shkëmbinjtë kanë prirjen të kenë kokrriza të një mase uniforme, kokrrizat e gurit Wishstone kanë përmasa të ndryshme dhe kanë kënde të mprehta, gjë që lë të kuptohet se është formuar menjëherë nga ndonjë shpërthim, si për shembull ndonjë përplasje meteorësh, apo shpërthim vullkanik. Gjeologu i Universitetit Cornell thotë se ai ka gjithashtu shumë më tepër fosfor, sesa shkëmbinj të tjerë marsianë të analizuar më parë. Kjo ndoshta për shkak se shkëmbi fillimisht kishte një përbërje të lartë fosfori, ose shkëmbi mund të jetë mbuluar me ujë të pasur me kripëra fosfori të quajtura fosfate.

“Nëse ka ndodhur kështu, atëherë do të thotë se ka patur një përmbajtje kimike të ujit krejtësisht të ndryshme nga ajo që kemi parë vetëm 500 metra larg, në anën perëndimore. Kështuqë na jep të dhëna krejt të ndryshme për përbërjen kimike të ujit, pak a shumë që përbërja e ujit është e ndryshme në vende dhe kohë të ndryshme”.

Ndërsa gjeologët analizojnë zbulimet e robotit, NASA po përgatitet të lëshojë një anije tjetër hapësinore pas 7 muajsh, ndërkohë që dy satelitë të tjerë amerikanë janë në orbitën e marsit. Ky i fundit do të bëjë fotografi me teknologji të përparuar të vendeve ku mund të ulet një tjetër robot që parashikohet të dërgohet.

Kreu i programit të eksplorimit të Marsit në NASA, Firouz Naderi thotë se kjo është pjesë e një plani afatgjatë për t’u kthyer më pas tek kampionë të shkëmbinjve dhe terrenit tokësor që mund të përmbajnë fosile të jetës në Mars. “Ne duam të gjejmë zona ku mundësia që të ketë patur jetë të jetë më e madhe, zona që shfaqin shenja se kanë patur, ose kanë ujë dhe përbërje kimike karbonike, të cilën shumë astrobiologë e shohin si diçka thelbësore për shfaqjen e shenjave të jetës”.

Në planet afatgjata, Shtetet e Bashkuara shpresojnë të dërgojnë njerëz për eksplorimin e Marsit, por nuk kanë përcaktuar ndonjë datë për një mision të tillë.

XS
SM
MD
LG