Lidhje

OKB-ja u bë thirrje qeverive të ofrojnë fondet e ndihmave per vendet e prakura nga cunami - 2005-01-12


Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje qeverive të ofrojnë fondet për të arritur shumën prej 4 miliard dollarësh që janë zotuar se do të japin në ndihmë të vendeve të Azisë jugore të prekura nga cunami i muajit të kaluar.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje për një miliard dollarë që nevojiten si ndima urgjente për Azinë jugore. Sipas kësaj organizate 700 milion dollarë nga kjo shumë është e sigurtë.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të ndihmave u takuan dje në Gjenevë. Kombet e Bashkuara u bënë thirje ambasadorëve të më shumë se 80 vendeve anëtare të bëjnë realitet sa më shpejt që të jetë e mundur zotimet e tyre për ndihma financiare.

Qeveri të ndryshme dhe ente private janë zotuar të japin më shumë se 7 miliard dollarë.

Por pjesa më e madhe e shumës do të jepet në një periudhë disa vjeçare, ndërkohë që agjenci të Kombeve të Bashkuara si UNICEF-i, Programi Botëror për Ushqimin dhe organizata joqeveritare kanë nevoja urgjente për fonde për të ushqyer qindra mijëra të pastrehë dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve.

Në Indonezi, ndërkohë që vazhdojnë operacionet për pastrim, përpjekjet e ndihmave kanë ngecur si rrjedhojë e gjendjes politike në provincën Aceh. Marinsat amerikanë dërguan sasinë e parë të ndihmave në ishullin e largët Simeluh, 95 kilometra në jugperëndim të Sumatrës. Banorë të uritur u grumbulluan rreth helikopterit për të marrë paketat e ndihmave.

Trupat amerikane dërguan ndihma jetike ushqimore dhe ilaçe në qytetin Meulaboh të Indonezisë, i cili u rrafshua nga cunami i 26 dhjetorit.

Këto përpjekje i përkasin operacionit që pritet të jetë më i madhi mision ushtarak humanitar i ndërmarrë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara, por deri tani ka pasur vonesa disa ditore si rrjedhojë e negociatave të tejzgjatura ndërmjet Marinës amerikane dhe ushtrisë vendore.

Ndërkohë misionet e ndihmave nga aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln vazhdojnë në provincën Aceh, megjithë shqetësimet e qeverisë indoneziane për sigurinë.

Zonat ku helikopterët lejohen të zbresin janë shumë të kufizuara. Qeveria indoneziane, në përpjekje për të rifutur nën kontroll provincën Aceh, ku ka qenë e angazhuar në konflikt me kryengritësit separatistë, u ka kërkuar punonjësve të ndihmave të regjistrohen para se të nisen për në qytete të largëta, në mënyrë që të shmangen problemet e sigurisë.

Ndërkaq, Kombet e Bashkuara thonë se tragjedia në Azinë jugore nuk duhet të lërë në harresë kriza të tjera urgjente gjetkë në botë. Për shembull shefi i operacioneve të OKB-së për ndihmat humanitare Jan Egeland tha se një mijë vetë vdesin çdo ditë në Republikën Demokratike të Kongos si rezultat i sëmundjeve dhe konflikteve. Ai tha se kjo shifër është njëlloj sikur ky vend të goditej nga cunami çdo 5 muaj.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar donacione për grumbullimin e 1 presje 7 miliard dollarëve për vitin 2005 për t’iu përgjigjur 14 krizave, shumë prej të cilave në Afrikë. "Një zhgënjim i madh për ne dhe tragjedi për viktimat në të gjitha këto zona ku po përpiqemi të vazhdojmë programet me nivelin ekzistues të ndihmave, do të ishte nëse kontributi i jashtëzakonshëm në ndihmë të popullsisë së prekur nga cunami ndikon negativisht në përpjekjet e ndihmave në vende të tjera".

Zoti Egeland vuri në dukje se përgjigja e shpejtë pas goditjes së cunamit arriti të parandalojë një krizë të mundshme - përhapjen e sëmundjeve ngjitëse. Ai tha se deri tani nuk ka pasur përhapje të epidemive si malaria apo kolera.

XS
SM
MD
LG