Lidhje

Pse Shtetet e Bashkuara bllokuan ndihmën ndaj Serbisë dhe Malit të Zi - 2005-01-21


Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar lëvrimin e një pakete ndihmash prej 10 milion dollarësh për Serbinë dhe Malin e Zi, e cila u akordua për vitin 2005. Ky veprim pason një vendim të mëparshëm për të bllokuar më shumë se 16 milion dollarë ndihma për vitin 2004.

Shtetet e Bashkuara po i ndërpresin ndihmat si rrjedhojë e mungesës së bashkëpunimit nga ana e Serbisë dhe Malit të Zi me Gjykatën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë. Përveç Sllobodan Millosheviçit, në 9 vitet e fundit që pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Deitonit, zyrtarët serbë nuk kanë arrestuar ndonjë figurë të rëndësishme të akuzuar për krime lufte. 20 persona nga tre ish-republika jugosllave u akuzuan për krime, përfshirë mbi dhjetë vetë nga Serbia. Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirje autoriteteve në Beograd të lejojnë futjen e hetuesve, të dorëzojnë dokumente dhe të ndihmojnë për kapjen e personave të akuzuar.

Ndër të akuzuarit renditen një ish-komandant i ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç. Ky i akuzuar kërkohet për rolin e tij në masakrën e vitit 1995 të afro 8 mijë meshkujve myslimanë në Srebrenicë. Vrasjet u përshkruan nga Gjykata e Hagës si “një triumf i së keqes.” Ratko Mlladiç u akuzua për krime kundër njerëzimit në vitin 1996. Siç duket, ai ka qenë në borderonë e ushtrisë serbe deri në vitin 2002. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej 5 milion dollarësh për informata që çojnë në kapjen e zotit Mlladiç.

Sekretari i Shtetit Kolin Powell theksoi në një takim të vitit 2004 me presidentin e Serbisë Boris Tadiç rëndësinë e bashkëpunimit me Gjykatën e krimeve të luftës:

“Ne folëm për çështjen e zotit Mlladiç dhe theksuam faktin se duhet të përbëjmë ç’është e mundur bashkarisht për ta sjellë atë para drejtësisë”.

Nëse Serbia dhe Mali i Zi nuk bëjnë realitet këtë bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, do të kufizohet përparimi i tyre në përpjekjet për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian apo programe si Partneriteti për Paqe i Natos.

XS
SM
MD
LG