Lidhje

Presidenti Bush zhvillon biseda telefonike mbi zgjedhjet irakiane - 2005-02-01


Presidenti Bush po u bën thirrje udhëheqësve kalimtarë të Irakut t’i përfshijnë të gjitha fraksionet e vendit në procesin politik. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfon, presidenti Bush u konsultua si me përkrahësit, edhe me kritikët e politikës së tij në Irak:

Presidenti foli me udhëheqësit irakianë, evropianë dhe ata të OKB-së. Në përgjithësi, mesazhi i të gjitha bisedave telefonike të Presidentit Bush ishte i njëjtë: zgjedhjet ishin në hap i madh përpara për lirinë dhe një goditje për terroristët.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, thotë se Presidenti Bush foli me Kryeministrin e Përkohshëm irakian Iyad Allawi dhe me Presidentin e Përkohshëm, Ghazi al-Yawar, lidhur me hapat e mëtejshëm në procesin politik. Ai thotë se të gjithë ishin të një mendimi lidhur me nevojën për t’i përfshirë në jetën politike të vendit të gjitha fraksionet, duke përfshirë edhe pakicën sunni.

Presidenti Bush u konsultua edhe me aleatin e tij më të fuqishëm të luftës në Irak, kryeministrin britanik Tony Blair, si dhe me dy nga kundërshtuesit më të fortë të pushtimit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, me presidentin francez Zhak Shirak dhe Kancelarin gjermann Gerhard Shrëder.

Zoti McClellan thotë se telefonatën e fundit diplomatike Presidenti Bush e pati me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti i falënderoi Kombet e Bashkuara për punën e tyre në organizimin e zgjedhjeve në Irak.

"Dhe zoti Annan theksoi se OKB-ja ishte e përgatitur të vazhdonte mbështetjen ndaj popullit irakian, veçanërisht për ta ndihmuar atë në hartimin e një kushtetute të re dhe në përpjekjet e tyre për të kërkuar përfshirjen e të gjitha partive në procesin politik të vendit."

Në një konferencë shtypi, zotin McClellan e pyetën lidhur me disa telefonata të disa ligjvënësve demokratë për tërheqjen graduale të trupave amerikane nga Iraku. Ai tha se forcat e koalicionit do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak për sa kohë të jetë e nevojshme.

Një afat për tërheqjen do të dërgonte mesazhin e gabuar tek terroristët, pra që ata të presin dhe të bëjnë plane mbi bazën e këtij afati të caktuar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se tërheqja e trupave nga Iraku do të varet nga tri faktorë: kushtet në terren, nga dëshira e qeverisë irakiane, si dhe ritmi i përpjekjeve për stërvitjen e forcave irakiane të sigurisë.

XS
SM
MD
LG