Lidhje

Peter Voicke: korrupsioni shton koston e zhvillimit të biznesit - 2005-02-07


Korporata Financiare Ndërkombëtare IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore është përqëndruar në biznesin me kompanitë private brenda vendeve në zhvillim, apo në tranzicion, duke u dhënë atyre ndihmë financiare, kredi, pjesëmarrje në aksione, si dhe këshilla, në mënyrë që ato të bëhen më konkurruese e të marrin pjesë në tregjet globale, -thotë Peter Voicke,- Nënpresident Ekzekutiv i IFC-së për 6 vjet, i cili sapo e ka përfunduar mandatin e tij. Në Shqipëri, IFC-ja ka investuar në Bankën Kombëtare, në kompanitë e sigurimeve, në uzina të çimentos, në insitucione financiare që punojnë me kompani të vogla. Në një intervistë për "Ditarin" zoti Voicke thotë se korrupsioni e shton koston e zhvillimit të biznesit

Zëri i Amerikës: Zoti Voicke, që nga koha kur ju u emëruat si presidenti i IFC-së, 6 vjet më parë, cili ka qenë pozicioni i IFC-së në ekonomitë në tranzicion të Evropës? A ka luajtur ajo një rol kryesor?

Peter Voicke: IFC-ja ka luajtur një rol të madh në Evropën Lindore, fillimisht në Evropën Qendrore, ashtu sikurse mbarë Grupi i Bankës Botërore. Ishte e qartë se këto vende po bënin përpara drejt ekonomisë së tregut dhe kishin nevojë për shumë këshilla dhe ndihma. Fillimisht, Banka Borëtore vuri në përdorim burime të mëdha në vendet e Evropës Lindore dhe në Rusi dhe pastaj ato i pasoi IFC-ja me një numër investimesh. Shpresojmë, që, të themi pas 10 vjetësh, Evropa Lindore nuk do të ketë më nevojë për Bankën Botërore dhe për ne.

Zëri i Amerikës: Shumë nga këto vende janë tregje të vogla. Si punon IFC-ja me klientët e saj të vegjël, a kanë vendet e vogla kërkesë të madhe për investime?

Peter Voicke: Ne kurdoherë jemi përpjekur për të gjetur mënyra të trajtimit të investimeve të vogla, projekteve dhe kompanive të vogla. Ka dy çështje: e para është se nuk kemi një numër aq të madh punonjësish për t’u marrë me kompani kaq të vogla; ndërkohë, ka një kërkesë të vazhdueshme, jo vetëm në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore, që IFC-ja të ndihmojë kompanitë e vogla të vendet në zhvillim. Këto janë çështje për të cilat ne kemi luftuar vazhdimisht. Jemi përpjekur të investojmë në tregjet financiare lokale, në bankat tregëtare, ato të investimeve, për t’i përshtatur ato më tepër me këto kompani në vogla. Ne, Banka Botërore dhe IFC-ja jemi përpjekur të krijojmë kushte të përshtatshme për biznesin, sepse sa më të mira të jenë rekomandimet, aq më e thjeshtë është të shkohet në ekonominë e tregut. Për ne mbetet një sfidë e madhe: si t’i trajtojmë kompanitë e vogla në mbarë botën.

Zëri i Amerikës: Në krahasim me 15 vjet më parë, kur në këto vende filloi tranzicioni, atje tani është zhvilluar biznesi dhe ato kanë shumë më tepër eksperiencë. Si po e ndihmon IFC-ja biznesin lokal në tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për t’i bërë këto vende më kompetitive?

Peter Voicke: Grupi i Bankës Botërore e ka ndryshuar fokusin e vet drej zhvillimit të sektorit privat. Krijimi i klimës për zhvillimin e biznesit është bërë tani një nga gurët bazë të politikës së zhvillimit të mbarë Grupit të Bankës Botërore. Në se flasim për specifikën e IFC-së, modeli ynë i biznseit ka ndryshuar së tepërmi. Në të kaluarën ne punonim me ekonomi të mëdha nga vendet e zhvilluara. Modeli i biznesi tonë tani është të punojmë me kompanitë private brenda këtyre vendeve duke u dhënë atyre ndihmë financiare, kredi, pjesëmarrje me aksione, si dhe këshilla, në mënyrë që ato të bëhen më konkurruese e të marrin pjesë në tregjet globale.

Zëri i Amerikës: Privatizimi i infrastrukturës është në planet e shumë vendeve. Si po ndihmon IFC në pjesëmarrjen e sektorit privat në infrastrukturë?

Peter Voicke: Një nga diskutimet që kemi patur veçanërisht me vendet ballkanike, që kanë përjetuar një sërë zhvillimesh politike, është që ato duhet të lidhen njëri me tjetrin, dhe nëpërmjet projekteve të infrastrukturës për mbarë rajonin, si për shembull në transport. Kur bisedojmë me qeveritë, ne mbështesim idenë e integrimit rajonal për vendet që do të anëtarësohen në BE. Që të jenë kompetitivë në infrastruktuturë, këto vende duhet të konceptohen si një rajon.

Zëri i Amerikës: Si po e ndihmon IFC Shqipërinë, por gjithashtu Bosnjen, Serbinë dhe Malin e Zi dhe Maqedoninë tregje relativisht të vegjël për të zhvilluar sektorin privat?

Peter Voicke: Ne kemi investuar në të gjithë këto vende në kompanitë private. Në Shqipëri ne kemi investuar në Bankën Kombëtare, në kompanitë e sigurimeve, në uzina të çimentos, në institucione financiare që punojnë me kompani të vogla, duke i ndihmuar të konkurojnë në tregun e lirë, të kenë fitim dhe të tërheqin investitorë nga jashtë.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni është një nga pengesat kryesore për sektorin privat. Le të përqëndrohemi tek Shqipëria: a mendoni se korrupsionin ka ndikuar në atë masë sa të bëhet pengesë për zhvillimin esektorit privat të vendit?

Peter Voicke: Mendoj se e korrupsioni e shton koston e zhvillimit të biznesit. Në shumicën e vendeve në zhvillim, si Shqipëria, por edhe në vende të tjera, ka një tendencë për shumë burokraci, për shumë rregulla dhe kjo në vetvete nxit korrupsionin. Në se duhet të sigurosh 50 leje për të hapur një biznes, tërhiqesh që të paguash njerëzit, që të realizosh sa më shpejt fillimin e biznesit. Qeveria duhet të marrë masa që procedurat të pakësohen. Mund të flasim sa të duam për qeveri të korruptuara dhe zyrtarë të korruptuar, por mos të harrojmë se është sektori privat që paguan për to.

Zëri i Amerikës: Zoti Voike, ju po largoheni nga IFC-ja pas 6 vjetësh, në të cilat IFC-ja ka kaluar ndryshime të rëndësishme: cilat mendoni se janë arritjet tuaja më të rëndësishme dhe në çfarë drejtimesh mund të punojë më mirë IFC-ja?

Peter Voicke: Mendoj se IFC ka provuar se edhe institucionet publike që zakonisht kanë reputacionin se janë jo-elastike dhe burokratike,mund të ndryshojnë. Ne e kemi ndryshuar tërësisht modelin tonë të biznesit, nga financuas të kompanive të mëdha në vende të mëdha, në financues të zhvillimit të sektorit privat në vendet në zhvillim. Ne e kemi rritur në mënyrë të ndjeshme ndihmën teknike dhe këshillimet për kompanitë në vendet e ndryhsme dhe kemi provuar me të vërtetë se IFC është një insititucion që të përshtatet me kushtet e reja. Ne kemi zbatuar sisteme objektive për vlerësimin e punës së punonjësve, po paguajmë bonuse mbi bazën e rezultateve të sukseshsme. Por IFC-ja ka sfidën e madhe se si mund t’i ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme. Kjo është sfida jonë e madhe. Ne gjithmonë kemi provuar se kemi patur financime të suksesshme me kompanitë e mëdha, por mbetet të shohim se si duhet të veprojmë me kompanitë e vogla, të cilat zenë vend të rëndësishëm për krijimin e vendvee të punës në ekonomi. Kjo është sfida për IFC-në.

XS
SM
MD
LG