Lidhje

Presidenti i Shqipërisë e cilëson të jashtëzakonshme gjendjen e krijuar nga moti i keq  - 2005-02-08


Në Shqipëri presidenti Alfred Moisiu mblodhi sot këshillin e Sigurimit për të diskutuar rreth situatës emergjente të krijuar në shumë pjesë të vendit si pasojë e reshjeve të mëdha të dëborës dhe temperaturave shumë të ulta. Kreu i shtetit e cilësoi gjendjen e krijuar si të jashtëzakonshme. Kryeministri Fatos Nano duke informuar për situatën deklaroi se tashmë janë shpenzuar nga buxheti i shtetit mbi 300 milion lekë dhe kjo shumë pritet të jetë më e madhe. Deri ditën e djeshme rreth 2500 familje ishin a energji.

Në Shqipëri vazhdon gjendja emergjente për shkak të temperaturave që kanë arritur nivele shumë të ulta. Qindra fshatra jo vetëm në të gjitha zonat malore të vendit, jo vetëm në veri të tij, janë ende nën pushtetin e të ftohtit. Presidenti Alfred Moisiu i cili thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cilësoi situatën e krijuar si të jashtëzakonshme.

I sapo kthyer nga vizita në disa nga zonat e prekura nga moti i keq kreu i shtetit deklaroi se qytetarët presin shumë nga shteti sepse vetëm shteti tha ai ka mundësinë të zotërojë mjetet e nevojshme për situata të tilla. Ai shtoi se është e nevojshme që të gjitha mundësitë dhe përgjegjësitë të përdoren për parandalimin e emergjencave dhe përballimin e tyre në kohë.

Për situatën e krijuar janë angazhuar struktura të shumta shtetërore. Kryeministri Fatos Nano informoi në takim se kostoja e deritanishme i kalon të 300 milion lekëve, ose mbi 3 milion dollarë Dhe kjo shifër pritet të rritet ende në ditë në vijim. Qeveria ka përgatitur akordimin e një fondi tjetër prej 20 milion lekësh për medikamente, ndonëse nga asnjë zonë tha ai nuk ka patur shqetësime për mungesë barnash.

Për shpërndarjen e ndimave janë angazhuar edhe helikopterët e policisë dhe ushtrisë, ndërkohë që helikopterët e shëndetësisë kanë evakuuar 35 të sëmurë.

Sistemi energjitik ka qenë më i godituri nga moti i keq, ku dëmet llogariten në afër 2 milion dollarë. Mbi 40 transformatorë të madhësive të ndryshme janë djegur dhe mijëra kilometra linja janë rrëzuar tha kryeministri sipas të cilit deri ditën e djeshme afër 2500 familje në të gjithë vendin ishin pa energji elektrike.

Kryeministri Nano u shpreh se qeveria e ka patur nën kontroll të plotë situatën, ndonëse kritika të shumta janë bërë vecanërisht nga opozita sipas së cilës strukturat shtetërore nuk kanë ndërhyrë në kohë dhe nuk po marrin masat e duhura. Pak ditë më parë shqetësim kishte shprehur edhe presidenti Moisiu i cili kishte deklaruar se situata të tilla duhet të bëjnë që në të ardhmen ato të mos e gjejnë shtetin të papërgatitur.

Por sipas kryeministrit të gjitha strukturat kanë qenë të angazhuar pavarësisht nga politizimi që i bëhet situatës. Politizimi tha ai është armiku kryesor i përballimit të emergjencave sepse ai ngjall panik, firkë e pasiguri dhe nuk i mobilizon njerëzit për përballimin e situatae por sipas tij i demotivon dhe i shndërron në qaramanë ordinerë.

XS
SM
MD
LG