Sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gates kërkoi falje për aksidentin që shkaktoi vdekjen e 9 fëmijëve afganë nga një sulm ajror i forcave të koalicionit javën e kaluar, duke e cilësuar atë si një zbrapsje.
Këto komente sekretari Gates i bëri sot gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kabul me Presidentin afgan Hamid Karzai, i cili pranoi ndjesën e kërkuar nga zoti Gates.
Sekretari amerikan i mbrojtjes Gates tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të jenë në pozitë të favorshme për të filluar tërheqjen e trupave nga Afganistani në korrik të këtij viti.
Ai u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë gati të vazhdojnë një lloj pranie ushtarake në Afganistan, kur forcat luftarake të largohen nga vendi në vitin 2014.