Lidhje

Pasojat e konfliktit në Afganistan


Konflikti në Afganistan është intensifikuar, ndërsa forcat luftarake ndërkombëtare përgatiten të tërhiqen nga vendi. Fraksione të ndryshme po luftojnë që të rrisin ndikimin dhe të fitojnë terren, ndërkohë që civilët janë mbërthyer në mes të zjarrit të armëve. Korrespondentja Sharon Behn e Zërit të Amerikës njofton nga Kabuli për një spital italian bamirësie, që përpiqet të shërojë viktimat e luftës ndërsa ndihmat ndërkombëtare fillojnë të pakësohen.

Mjekët këtu u detyruan t’i prisnin këmbën këtij vogëlushi pasi një plumb e dëmtoi atë pa shpresë shpëtimi. Koordinatori mjeksor, Luca Radaelli i spitalit Italian të Urgjencës, thotë se ky djalë është një prej qindra fëmijëve. Ai thotë se ndërsa palët në konflikt luftojnë për kontroll territoresh, numri i viktimave të luftës, që vijnë në spitale ka arritur nivele rekord.

“Ne presim një rritje të vazhdueshme të viktimave në këtë periudhë. Ne gjithnjë kemi pasur më shumë viktima në verë se sa në dimër, por tani ne jemi shumë të shqetësuar sepse situata është mjaft problematike. Numri i viktimave është shtuar shumë dhe menaxhimi i kaq shumë viktimave në një spital me gati 100 shtretër përbën problem shumë të vështirë për ne”.

Kjo qendër operacionesh me 97 shtretër në Kabul është një prej 3 spitaleve dhe 40 klinikave të ndihmës së shpejtë në Afganistan, të administruara nga spitali emegjent italian.

Ndërsa trupat ndërkombëtare përgatiten të tërhiqen nga Afganistani, fondet për grupet emergjente kanë filluar të pakësohen. Zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara për ndihmat në Afganistan, Nilab Mobarez thotë se ky vendi ka shumë nevojë që ndihmat të vazhdojnë.

“Mesazhi ynë për komunitetin ndërkombëtar është afganët me të vërtetë kanë nevojë për mbështetje humanitare dhe për ndihmë zhvillimi. Afganistani është një prej vendeve më të varfëra të botës, edhe tani që në këtë vend ka shumë ndihma. Situata do të përkeqësohet më tej nëse këto ndihma pakësohen”.

Mes pluhurit dhe kaosit në Kabul, spitali emergjent është një oaz pastërtie, paqeje dhe kujdesit shëndetsor falas dhe me një cilësi të lartë, i financuar nga donatorët ndërkombëtarë të këtij grupi. Kirurgu Shukoor Sardar ka shpëtuar qindra jetë njerëzish këtu.

“Mendoj se ky spital është shumë, shumë i rëndësishëm për këta njerëz dhe kjo shikohet në këtë spital, ndërkohë që në Afganistan nuk ka spitale si ky. Kam parë shumë spitale të tjerë veçanërisht në Kabul dhe asnjë spital nuk funksionon në këtë nivel, sidomos për viktimat e luftës. Për mendimin tim, ky spital është shumë i rëndësishëm”.

Të plagosurit e luftës si Malang, i cili mori shumë plagë kur sulmuesit hapën zjarr pa pushim ndaj makinës së tij, vijnë këtu nga gjithë Afganistani.

“Unë humba shumë gjak dhe nëse nuk do të më kishin sjellë këtu, nuk di se çfarë do të kishte ndodhur me mua”.

Ndërsa misioni i trupave të huaja do të pakësohet gjatë vitit të ardhshëm, personeli i këtij spitali pret më shumë pacientë.
XS
SM
MD
LG