Lidhje

Afganistan, vritet një anëtar i lartë i këshillit të paqes


Në Afganistan, zyrtarët thanë se persona të armatosur vranë një anëtar të lartë të këshillit afgan të paqes, grushti ky më i fundit për bisedimet e paqes.

Autoritetet thanë se persona të paidentifikuar në një makinë hapën zjarr sot në mëngjes ndaj Arsala Rahmani në Kabul, ndërsa ai po shkonte në punë.

Zoi Rahmani, ish zyrtar taleban, u bë anëtar i këshillit afgan të paqes, i krijuar nga Presidenti Hamid Karzai për të negociuar një përfundim paqësor të luftës mbi 10 vjeçare në Afganistan. Zoti Rahmani shërbeu në postin e zv. ministrit të arsimit të lartë gjatë sundimit të talebanëve në Afganistan.

Talebanët mohuan çdo përgjegjësi për sulmin e sotëm.

Forca Ndërkombëtare e Sigurisë në Afganistan, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, tha sot se zoti Rahmani "zgjodhi të jepte një kontribut pozitiv në vendin e tij, duke i kthyer shpinën një lëvizjeje kryengritëse" që vazhdon të dëmtojë të ardhmen e Afganistanit.

Në një deklaratë të Forcës Ndërkombëtare thuhej se sulmi i sotëm "është një provë e qartë se ata persona që kundërshtojnë qeverinë legjitime të Afganistanit nuk janë të interesuar të mbështesin në ndonjë formë procesin e paqes".

Shtatorin e kaluar, ish presidenti afgan Burhanuddin Rabbani, i cili ishte kryetar i këshillit të paqes i presidentit Karzai, u vra me anë të një sulmi vetëvrasës.

XS
SM
MD
LG