Lidhje

Afrika e Jugut kryeson me përdhunimet


Afrika e Jugut quhet shpesh “kryeqyteti i përdhunimeve në botë”, pasi llogaritet që mbi 70 për qind e grave janë abuzuar seksualisht. Këtë javë, 5 burra sulmuan dhe përdhunuan në grup një vajzë në kryeqytetin Pretoria. Nën hijen e një sulmi të ngjashëm në Indi, i cili mobilizoi miliona njerëz të dilnin nëpër rrugë në protesta, aktivistët në Johanesburg thonë se nuk e kuptojnë se pse jo më shumë jugafrikanë nuk janë të zemëruar. Anita Powell sjell më shumë hollësi nga Johanesburgu.

Policia thotë se gruaja e re po priste në radhë të martën gjatë natës për t’u regjistruar në Universitetin Tshwane të Teknologjisë. Pesë burra e tërhoqën zvarrë në errësirë, e përdhunuan dhe i morën paratë e telefonin. Policia thotë se nuk ka arrestuar ndonjë të dyshimtë.

Kur një studente në New Delhi u përdhunua në grup nga 6 burra, u rrah dhe u la të vdiste muajin e kaluar, ky akt i shëmtuar ngjalli protesta masive në mbarë Indinë.
Babai i viktimës njoftoi kohët e fundit emrin e saj, Jyoti, i cili në hindu do të thotë “dritë”. Kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen e mbarë botës për përdhunimet në Indi. Pesë prej 6 të dyshuarve për përdhunimin e saj dolën para gjykatësit në New Delhi dhe u akuzuan për rrëmbim, përdhunim në grup dhe vrasje. Veprimi me shpejtësi kaq të madhe nga ana e autoriteteve të rendit është i padëgjuar në një vend ku zakonisht kalojnë disa muaj para se prokurorët të përgatiten për fillimin e gjyqit.

Por në Afrikën e Jugut, thotë aktivisti Zubeda Dangor, ka të ngjarë që përvoja e tmerrshme e një femre të vetmje, thjeshtë do të largohet nga sytë e publikut.
Zoti Dangor, me prejardhje indiane, është drejtor ekzekutiv i Institutit Nisaa për Përparimin e Grave. Emri i kësaj organizate jo-feare i referohet një kapitulli të Kuranit, që flet për të drejtat e grave.

“Përse shoqëria e Afrikës së Jugut është pasive rreth këtij aspekti të jetës sonë? Mësimi që ne mund të nxjerrim nga përvoja në Indi është se ne duhet ta kundërshtojmë këtë fenomen. Populli i Afrikës së Jugut ka një histori lufte të organizuar. Ne u organizuam për çlirimin e Afrikës së Jugut, por nuk duket se mund të organizohemi kundër dhunës seksuale”.

Policia e Afrikës së Jugut dokumentoi mbi 64 mijë përdhunime vitin e kaluar dhe kjo shifër përfshin vetëm rastet e njoftuara, ndërkohë që sulmi seksual është një prej krimeve më të panjoftuara në gjithë botën.

Një studim i vitit 2010, që citohet shpesh, arriti në përfundimin se mbi 25 për qind e burrave afrikanojugorë e kanë pranuar të kenë përdhunuar një vajzë ose një grua. Një në 7 burra pranuan se kishin përdhunuar në grup.

Zoti Dangor thotë se asnjë grua nuk është e sigurtë nga përdhunimi dhe mes viktimave ka bebe, vajza dhe gra të moshuara.

Afrika e Jugut është përballur gjithashtu me nivele tepër të larta abuzimi. Sipas statistikave qeveritare, 90 për qind e femrave kanë përjetuar abuzim emocional dhe fizik, ndërsa 71 për qind e tyre kanë përjetuar abuzim seksual.

Organizata e zotit Dangor ndihmoi në grumbullimin e mijëra firmave për një peticion për qeverinë e Indisë, që iu paraqit të martën. Peticioni i kërkon qeverisë indiane të veprojë kundër përdhunimeve dhe të mbrojë viktimat e këtij akti të shëmtuar. Zoti Dangor thotë se përvoja indiane ofron shpresë për vendin e tij, Afrikën e Jugut.

“Mendoj se mësimin që afrikanojugorët mund të nxjerrin është se ne e admirojmë shoqërinë indiane që ngriti zërin, veçanrëisht në rastin e fundit të përdhunimit në mënyrë që gratë e mbijetuara të përdhunimit ose abuzimit mund të ndihmohen. Policia indiane vepron shumë ngadalë në raste të tilla dhe e njëjta situatë ekziston edhe në Afrikën e Jugut. Ne kemi ligje shumë të mira, por ato nuk zbatohen si duhet që femrat të marrin drejtësi shoqërore”.

Një zëdhënëse e policisë së Afrikës së Jugut nuk pranoi të komentonte për Zërin e Amerikës, por policia ka deklaruar në të kaluarën se është e angazhuar të luftojë sulmet seksuale.

Por derisa autoritetet të kenë sukses në këtë luftë, ka të ngjarë që rreth 175 vajza dhe gra afrikanojugore të përdhunohen në ditë dhe kjo gjendje vazhdon çdo ditë.
XS
SM
MD
LG