Lidhje

Tumoret në Shqipëri rriten në mënyrë kritike


Në popullatën shqiptare rastet me kancer shtohen me 6 - 7 mijë persona çdo vit, kanceri i gjirit tek femrat dhe mushkëritë e të dy gjinive.

Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit, mjekët shqiptarë i bëjnë thirrje popullatës për vizita sa më shpeshta, sepse rastet e kancerit po shtohen me shpejtësi. Korridoret e spitalit onkologjik në Qendrën spitalore “Nënë Tereza” janë përditë plot me qytetarë që vizitohen ose që operohen nga kanceri në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas statistikave zyrtare, në popullatën shqiptare rastet me kancer shtohen me 6 mijë deri në 7 mijë persona çdo vit, kanceri i gjirit tek femrat dhe mushkëritë e të dy gjinive.



Shefi i kirurgjisë onkologjike, dr. Agim Karaj, thotë se kanceret janë një problem i madh, ato zbulohen me vonesë, për shkak të fobive dhe mungesës së informacionit dhe mendësive të vjetra të popullatës. Shumica e rasteve vijnë në një shkallë shumë të zhvilluar dhe mjekimi është i dobët. Por edhe vështirësitë administrative në këtë fushë janë shumë të mëdha, duke nisur që nga fondet e pakta shtetërore.

Dr. Karaj thotë se përballë zhvillimit të kancereve në Shqipëri buxhetet janë shumë më të ulta se çdo vend tjetër dhe nuk e përballon dot gjendjen kritike. Ai thotë se kanceret nuk janë sëmundje fatale nëse kapen në fazat e hershme, ndaj duhen kontrolle të hershme për të shmangur kostot e larta të mjekimeve dhe mungesën e pajisjeve.

Autoritetet shtetërore u angazhuan sot në ditën botërore të luftës kundër kancerit për të shtuar zbulimin e hershëm dhe parandalimin e tumoreve si dhe për shtimin investimeve spitalore për të mbrojtur shëndetin e popullatës. Ndërkohë që po bëhen vaksinime për të shmangur kancerin e mëlçisë dhe atë të qafës së mitrës.

Po konkurrenca midis spitaleve shtetërore dhe klinikave private si është? Shumica e të sëmurëve vijnë në spitalin shtetëror sepse aty janë mjekët më të mirë, sepse çmimet janë zero, ose minimale, dhe sepse janë të varfër, ndërsa klinikat private janë shumë të shtrenjta.

Mjekët pohojnë se rastet që kapen herët janë më të suksesshmet, por ndërgjegjësimi i qytetarëve është i ulët, ndërsa rastet me kancer po shtohen ndjeshëm. Llojet më të shtuara kohët e fundit janë tumoret me metastaza në sqetulla, kanceret e gjirit tek femrat deri 20 vjeçare, kanceret e testikujve, kanceret e nishaneve, tumoret e lëkurës; të gjitha vijnë i nënvlerësimit të shenjave të vogla që sëmundja ka dhënë shumë herët, prandaj, thonë mjekët, më mirë një kontroll parandalues sot se sa mijëra euro pa shërim më vonë edhe humbje jetësh njerëzore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG