Lidhje

Agimi i Artë dhe problemet ekonomike të Greqisë


Në Greqi partia Agimi i Artë e ekstremit të djathtë po quhet neo- naziste, pasi udhëheqësi dhe anëtarë të tjerë të lartë të saj u arrestuan për lidhje të dyshuara me vrasjen e një këngëtari të njohur që i përkiste së majtës. Por në sondazhet e opinionit, kjo parti vazhdon të ketën mbështetjen e më shumë se gjashtë për qind të grekëve. Le t'i hedhim një vështrim dukurisë Agimi i Artë dhe arsyeve që lidhen me ekzistencën e saj.

Udhëheqësi i Agimit të Artë bërtet në mënyrë sfiduese ndërkohë që arrestohet nën akuzat se i përket një organizate kriminale.

Por pasuesit e partisë vazhdojnë të shprehin mbështetje për të, një fakt që flet shumë se sa të thella janë problemet ekonomike të Greqisë, sipas Spiros Economides i Shkollës Ekonomike të Londrës.

"Natyra dhe përhapja e krizës ka bërë që një numër i madh njerëzish nga të gjitha sferat dhe moshat kanë vendosur që ky është lloji i organizatës i cili përfaqëson më mirë pikëpamjen e tyre."

Agimi i Artë është kundër kushteve të vështira me të cilat shoqërohet ndihma financiare për Greqinë. Ai akuzon partitë e tjera politike për korrupsion dhe paaftësi si dhe fajëson emigrantët për shumë nga problemet e vendit.

Partia prej kohësh është akuzuar për kërcënime dhe dhunë. Por, Dimitar Bechev i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, i tha Zërit të Amerikës përmes Skypit se shumë pak është bërë deri tani.

"Autoritetet i kanë neglizhuar krimet e mëparshme të kryera qoftë nga anëtarët apo njerëz të lidhur me organizatën. Është toleruar shumë."

Muajin e kaluar, në këtë rrugë në periferi të Athinës, një njeri i cili thotë se është mbështetës i Agimit të Artë dyshohet se ka vrarë këngëtarin e njohur majtist të rapit, Pavlos Fissas.

Zyrtarët e partisë kanë mohuar çdo lidhje me vrasjen, por një bastisje policore në zyrat e Agimit të Artë ka gjetur materiale që tregojnë se partia bashkëpunon me policë të korruptuar.

Kjo krijoi një reagim të ashpër, dhe popullariteti i partisë ra ndjeshëm nga 13 në rreth 6.5 për qind. Profesori Economides thotë se grekët, të cilët kërkonin ndihmën e Agimit të Artë, kanë filluar të kuptojnë se kujt ia kishin besuar mbështetjen e tyre.

"Ideologjikisht, nuk ka dyshim se ata janë një parti neo-naziste. Edhe udhëheqësi i partisë, kur ishte duke u arrestuar nga policia, hidhte parrulla naziste. Në qoftë se kjo parti nuk është neo-naziste atëhere çfarë tjetër mund të jetë?"

Kundërshtarët e Agimit të Artë janë duke e bërë të qartë pikëpamjen e tyre, sidomos pas vrasjes së këngëtarit. Funerali i tij tërhoqi një turmë të madhe njerëzish. Por Agimi i Artë ka deklaruar se do ta vazhdojë luftën dhe, në kushtet kur ekonomia e Greqisë është ende në kaos, trazirat vështirë të marrin fund shpejt.
XS
SM
MD
LG