Lidhje

Agjentët e dyshuar të Rusisë në SHBA, kërkohet i njëmbëdhjeti


Agjentët e dyshuar të Rusisë në SHBA, kërkohet i njëmbëdhjeti
Agjentët e dyshuar të Rusisë në SHBA, kërkohet i njëmbëdhjeti

Nëntë persona të akuzuar si agjentë që punonin për Rusinë në Shtetet e Bashkuara pritet të dalin sot para gjykatës për të kërkuar lirim me kusht. Seancat do të zhvillohen në gjykatat federale të Nju Jorkut, Bostonit dhe Virxhinias, pranë Uashingtonit. Një personi të dhjetë i është mohuar lirimi me kusht. Ndërkohë, policia e Qipros është në kërkim të personit të 11. Sipas autoriteteve, Christopher Robert Metsos nuk u paraqit dje në një stacion policie të qytetit Larnaca ku duhet të shkonte pasi autoritetet qipriote i kishin dhënë lirim me kusht.

Metsos ishte i dyshuari i njëmbëdhjetë. Emri i tij u bë i ditur pas njoftimit nga autoritetet amerikane të 10 personave që akuzohen se punonin në misione afatgjata supersekrete në Shtetet e Bashkuara si agjentë të shërbimit rus të zbulimit, SVR.

Një zëdhënës i policisë qipriote tha se ende nuk ka shenja që 54-vjeçari Metzos të jetë larguar nga Qiproja ose të ketë kaluar vijën e gjelbër për t’u hedhur në sektorin turk të ishullit të ndarë, i cili njihet vetëm nga Turqia.

Metzos, i cili thotë se është kanadez, kërkohet në Shtetet e Bashkuara nën akuzat se furnizonte me para grupin e agjentëve që vepronin në fshehtësi në lagjet periferike të qyteteve amerikane.

Ai u arrestua të martën në Qipro kur po përpiqej të shkonte me avion për në Hungari.

Një gjykatës qipriot e liroi atë me kusht në shkëmbim të një pagese prej 33 mijë dollarësh por dje ai nuk u paraqit në polici siç i ishte kërkuar.

Ministria e jashtëme e Rusisë tha dje se nuk priste që arrestimet do të dëmtonin marrëdhëniet me Uashingtonin. Agjentët dyshohen se përpiqeshin të siguronin informacione mbi armët bërthamore amerikane, mbi politikën e jashtëme dhe aspekte të tjera ndërkohë që punonin dhe jetonin pa bujë në Shtetet e Bashkuara.

Ata përballen me akuza për pastrim parash dhe për faktin që nuk janë regjistruar si përfaqësues të një qeverie të huaj por deri tani ndaj tyre nuk është ngritur akuza më e rëndë, ajo për spiunazh.

XS
SM
MD
LG