Lidhje

20 qershor: Fillon aktivitetin naftësjellësi i Alaskës; Marrëveshja e komunikimit të drejtpërdrejtë me Bashkimin Sovjetik


Fillon aktivitetin naftësjellësi i Alaskës

Më 20 qershor të vitit 1977, filloi pas një pritjeje të gjatë transportimi i naftës së Alaskës drejt pjesës tjetër të Shteteve të Bashkuara. Në orën nëntë e gjysmë të mëngjesit sipas orës vendore, një kompjuter i kompanisë Alieska aktivizoi pompat që filluan transportin e naftës. Nafta filloi të lëvizte nga stacioni i pompimit në limanin Prudoh, në bregdetin verior të Alaskës, drejt portit Valdez në bregdetin jugor të saj.

Për ndërtimin e tubacionit u deshën 3 vjet. Tubacioni e ka diametrin një metër dhe është i gjatë 1280 kilometra. Ndërtimi filloi pas një dekade debatesh ligjore rreth dëmeve të mundshme që mund të shkaktonte tubacioni në mjedisin e brishtë të Alaskës.

Tubacioni është i izoluar më së miri për të parandaluar shkrirjen e tundrës së Alaskës nga nafta e ngrohtë. Tubacioni është ndërtuar në atë mënyrë që t’u qëndrojë tërmeteve dhe në disa zona është ngritur rreth 3 metra mbi tokë për të lejuar kalimin e kafshëve shtetgtare nën të.

Marrëveshja e komunikimit të drejtpërdrejtë me Bashkimin Sovjetik

Më 20 qershor të vitit 1963, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë komunikimi. Bisedimet mbi këtë plan kishin filluar 6 muaj para krizës së raketave në Kubë në tetor të vitit 1962.

Të dy vendet donin të kishin një mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të shpejtë për të komunikuar në çdo rast urgjent për të parandaluar shpërthimin aksidentalisht të luftës. Fillimisht, e ashtuquajtura linja e kuqe përbëhej nga një mjet teletajpi në kryeqytetet e të dy vendeve.

Me kalimin e viteve ky sistem është përmirësuar ndjeshëm, po ashtu edhe komunikimi me zë, ndërkohë që lidhjet kompjuterike me satelitë tani bëjnë të mundur shkëmbimin e shpejtë të fotografive dhe hartave mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të ish Bashkimit Sovjetik.

XS
SM
MD
LG