Lidhje

Antarktika, dikur një vend tropikal


Antarktika, dikur një vend tropikal
Antarktika, dikur një vend tropikal

Antarktika është vendi më i ftohtë në botë. Por tani ka prova se dikur ajo ishte një vend tropikal. Një anije që merret me studime në oqean sapo është kthyer nga kontinenti i akullt me disa mostra të marra nga thellësitë më të mëdha, të cilat tregojnë se rajoni dikur ka pasur një ekosistem të ngrohtë.

Anija kërkimore "Joide's Resolution" sapo është kthyer në Australi pasi kaloi 54 ditë në Antarktikë. Ekipi ndërkombëtar prej 30 shkencëtarësh nga e gjithë bota në bordin e anijes arriti të bënte shpime në thellësinë më të madhe ndonjëherë prej një mijë metrash poshtë fundit të detit, pranë brigjeve të Antarktikës. Mostrat e mbledhura datojnë që prej 54 milion vjetëve më parë dhe tregojnë se Antarktika kishte dikur një ekosistem të ngrohtë, tropikal. Mostrat tregojnë gjithashtu se niveli i gazit karbonik ishte tre herë më i lartë seç është tani.

Por pas 20 milion vitesh klime tropikale në Antarktikë, niveli i dioksidit të karbonit ra së bashku me temperaturën, duke nxitur epokën e akullnajave dhe mjedisin e ngrirë që shihet sot. Shkencëtarët thonë se kushtet tani po ndryshojnë përsëri. Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës thotë se temperaturat do të rriten me deri në 4 gradë gjatë 100 viteve të ardhshme.

Studimi tregon se rritja e temperaturës do ta çojë botën edhe një herë në kohën kur akullnajat nuk ekzistonin. Shkencëtarët thonë se konstatimet e tyre tregojnë se ndryshimet në nivelin e gazit karbonik, qoftë të natyrshme apo nga njeriu, i japin shkas ndryshimit të klimës.

XS
SM
MD
LG